Joveski: Janeva do të thirret për bisedë në Prokurori

Shpërndaje

Kryeprokurori Lubomir Joveski pohon për TV21 se të gjithë të përfshirët në rastin “Reket’ do të merren në pyetje nga Prokuroria, përfshirë këtu edhe Katica Janevën, por nuk tregon se kur.

“Të gjithë të involvuarit në mënyrë joselektive do të dëgjohen ose merren në pyetje. Prokuroria për shkak të konfidencialitetit nuk kumton para kohe”, tha kryeprokurori, Ljubomir Joveski.

Joveski thotë se se ka shumë gjasa që video dhe audio materialet e publikuara nga media italiane të jenë të njëjtat si ato të cilat Prokuroria Publike i posedon si dëshmi.

Të njëjtat Prokuroria i ka pasur edhe në ditën kur Joveski dhe Ruskoska dolën në konferencën e përbashkët për media për të kumtuar skandalin “Reket”.

Por përse këto dëshmi nuk ishin të mjaftueshme që Prokuroria ta marrë Katica Janevën në pyetje?

“Në asnjë moment Prokuroria nuk ka deklaruar se Janeva nuk do të thirret gjatë hetimit. Se cilat dëshmi në çfarë periudhe të hetimit do të prezantohen ka rëndësi të veçantë për sigurimin e dëshmive dhe zbardhjen e plotë të veprës”, përfundoi Joveski.

Që nga fillimi i gushtit lënda “Reket” është në pauzë për shkak se prokurorët janë në pushim, përfshirë këtu kryeprokurorin Lubomir Joveski, ajo për ndjekje të krimit dhe korrupsionit Vilma Ruskoska dhe Katica Janeva, kryeprokurorja e Speciales e dyshuar për përfshirje në “Reket”. Kjo lëndë tash për tash është në procedurë hetimore.