Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të sjellë vendim për Janevën

Shpërndaje

Këshilli i Prokurorëve Publikë sot do ta sjellë vendimin për atë se a do të fillojë procedurën për shkarkimin e prokurores speciale publike Katica Janeva për shkak të punës joprofesionale dhe joetike. Janeva për momentin është në paraburgim për lëndën “Reket” të Prokurorisë Speciale Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë Kole Shteriev pas seancës, e cila pardje zgjati gati tetë orë, deklaroi se ai dhe anëtarët e tjerë të Këshillit arritën që vetëm t’i kontrollojnë dokumentet, një numër të madh të materialeve të cilat ishin dorëzuar deri te ata në lidhje me hetimin për rastin “Reket”. Paralajmëroi se me punë do të vazhdojnë sot paradite, dhe pret që të sillet vendim se a do të fillojnë procedurën për shkarkimin e Janevës.

Këshilli i Prokurorëve Publikë, siç tha Shteriev, për herë të parë përballet me një situatë të tillë në të cilën një shefi të Prokurorisë Publike i është përcaktuar masa e paraburgimit. Nuk deshi të zbulojë se në lidhje me këtë ka qëndrime dhe mendime të kundërta mes anëtarëve të Këshillit.

Presidenti Stevo Pendarovski dje nga Makedonska Kamenica, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për pozicionin e tij në lidhje me rastin “Reket”, deklaroi se nuk ka përzierje politike në hetim për këtë rast.

“Puna ime si president nuk është që ta komentoj çdo fazë të rastit “Reket”, derisa procedura ligjore për këtë rast nuk tregon disa momente të dukshme për të cilat më pas do të mund të japim vlerësim si politikanë”, tha Pendarovski.

Pendarovski përkujtoi se para dy javëve në konferencë për shtyp bëri thirrje që të përshpejtohet procedura nga organet hetuese.

Kryeministri Zoran Zaev, dje i pyetur se a është ftuar si dëshmitar në rastin “Reket”, u përgjigj se ftesë ende nuk ka marrë.

“Nuk kam pranuar ftesë, gjithsesi qëndroj në dispozicion për cilindo termin. Unë jam këtu në shtet, tha kryeministri Zaev, i cili dje ishte për vizitë në xeheroren “Buçim”, në festimin me rastin e 40 vjetorit të ekzistimit të saj dhe 15 viteve pasi kompania “Soluej” menaxhon me të.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e akuzon Janevën se e ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe autorizimin dhe i ka mundësuar të dyshuarit Orce Kamçev, në lëndën “Perandoria”, që të dalë nga paraburgimi dhe të marrë pasaportë të përkohshme.

Prokurorja Villma Ruskovska pardje pas seancës në Këshillin e Prokurorëve Publikë ku ishte disa orë dhe përgjigjej në pyetjet e anëtarëve për procedurën e shkarkimit të Janevës, deklaroi se Prokuroria e di se ku janë një pjesë e parave nga rasti “Reket”. Theksoi se ende po punohet për hetimin financiar dhe se për një pjesë të parave e dinë se ku janë, ndërsa për pjesën tjetër po punojnë.