Konjufca për Osmanin: Çfarë kandidate je kur frikësoshesh të hysh në listë si numër një

Shpërndaje

Galuk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se Vjosa Osmani e LDK-së ka refuzuar një ofertë zemërgjerë të tyre sot.

“Kur nuk je e sigurt që të hysh në një koalicion të madh, ta kesh numrin një në listë dhe të frikësohesh që nuk bëhesh kryeministre, nuk e di çfarë kandidati je?”, ka thënë Konjufca.

Nënkryetari i Vetëvendosjes deklaroi se lideri i VV-së doli edhe kundër vullnetit të aktivistëve të Lëvizjes, kur i bëri ofertë LDK-së dhe hoqi dorë nga pozita e kandidatit për kryeministër para mbajtjes së zgjedhjeve.

“Do të ishte përparësi e hatashme për Osmanin dhe përgjegjësi që e merr duke refuzuar një alternativë kaq zemërgjerë të VV që ishte koncesioni më i madh i mundshëm i LVV, sepse Kurti shkoi edhe ndoshta kundër vullnetit të aktivistëve tanë. LDK refuzoi shumë shpejt ofertën e LVV që nuk është lajm i mirë për Kosovën. Sa ka zhgënjyer qytetarët ka forcuar bindjen për LVV si zgjidhje e drejtë. Kemi qenë të bindur që LDK do ta pranonte këtë mundësi. Është përparësia më e madhe e mundshme të dalësh më mirë me vota kur e ke numrin një”.

Sa i përket mundësisë e një takimi të sontëm para se të mbyllet afati i dorëzimit të aplikacioneve për koalicione në KQZ, sipas tij, ka shumë pak mundësi.

“Mendoj që LDK po të kishte idenë që ka vetëm ndonjë pakënaqësi teknike që mund ta diskutonim do të na shkruante prapa me një alternativë ndaj përgjigjes tonë. Përveçse se nëse kemi ndonjë përpjekje të fundit që vjen nga LDK. Nga ana jonë i kemi bërë të gjitha dhe ishte LDK ajo që nuk lëvizi. Dy pozicione kanë qenë: Vjosa patjetër Kryeministre dhe Albini Kryeministër patjetër dhe LVV ka heq dorë nga pozicioni i vet mirëpo LDK nuk ka hequr dorë nga pozicioni i vet”, deklaroi ai.