LDK nuk po merren vesh – Isa Mustafa thotë se partia e tij nuk e jep postin e kryeministrit

Shpërndaje

Ndonëse, sot paradite nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, tha se kjo parti nuk e ka primar postin e kryeministrit, të kundërtën në mbrëmje e ka thënë i pari i LDK-së, Isa Mustafa, shkruan Insajderi.
Mustafa, tha se LDK-ja nuk do t’ia linte asnjë partneri të mundshëm të koalicionit postin e kryeministrit.

Ai këtë deklaratë e dha në emisionin Pressing, ndërsa pohoi se të gjitha partitë duhet të garojnë të vetme në zgjedhje.

“Në asnjë rast LDK-ja s’mund të bëjë koalicion me dikë dhe të thotë që do të heq dorë nga posti i kryeministrit”, është shprehur Mustafa, teksa ka theksuar se partia e tij është më e madhja në vend dhe se i takon posti i kryeministrit.

Kryetari i LDK-së, tha se kjo parti me partitë e tjera me të cilat mund të bashkëpunojë duhet të bëjnë një marrëveshje xhentëlmene për zgjedhjet.

“Nëse shohim se gjatë rrugës do të bëhen koalicione dhe tash po duket se ka deklarata të tilla, njerëzit s’po e fshehin ne do të jemi të gatshëm të ulemi e të bëjmë marrëveshje parazgjedhore”, ka theksuar ai.

Mustafa ka folur për bisedimet me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një koalicion parazgjedhor.

“Me Kurtin kemi biseduar edhe për nevojën të bëhemi bashkë. S’jemi marrë vesh”, ka deklaruar Mustafa.