Mbyllet afati ligjor: Nuk ka përfundimisht koalicion LDK-VV

Shpërndaje

Ndonëse për javë të tëra u diskutua për një koalicion parazgjedhor LDK-VV, megjithatë dy partitë nuk arritën marrëveshje, raporton Gazeta Blic.Është zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ai i cili e ka konfirmuar se janë paraqitur në KOmisionin Qendror të Zgjedhjeve katër koalicione.Dy shqiptare, AAK me PSD-në dhe Nisma me AKR-në, dhe një nga minoriteti serb dhe një nga minoritetet tjera.

Dështimi i koalicionit LDK-VV ka nxitur reagime dhe akuza ndërmjet zyrtarëve të këtyre dy partive.Ndërsa ish- deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kjo parti përfundimisht do të shkojë e vetme në zgjedhje.Ai ka thënë se mënyra se si Vetëvendosje e bëri publike thirrjen ndaj LDK-së, bëri që të krijohet një sinergji e garës së brendshme e cila do të ishte e dëmshme për koalicionin.

“Besoj se LDK-ja do të shkojë kësaj radhe e vetme, dhe besoj se do të jetë oferta më e mirë për qytetarët e Kosovës. Është afati i 6 shtatorit kur ne mund ta dërgojmë listën tonë finale si LDK. Më shumë se një muaj në baza ditore krerët e partive kanë biseduar dhe janë dakorduar për shumicën e gjërave, por s’kanë arritur të përmbyllin këtë me sukses. Megjithatë ne jemi përgatitë që të shkojmë edhe si të vetëm në zgjedhje”, ka thënë Gashi në Interaktiv të KTV-së.