Një dibran nga SHBA-ja ka donuar aparate dhe pajisje për Spitalin e përgjithshëm në Dibër

Shpërndaje

Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër, sot kanë arritur aparate dhe pajisje, në vlerë prej rreth 35.000 dollarë, donacion i dibranit Salaudin Erbeli, i cili jeton në SHBA.

Donacioni, sipas drejtorit të spitalit, Baki Halili përbëhet në aparate mjekësore, çarçafë, batanije dhe karroca invalidore.

“Bëhet fjalë për nga një aparat për eko dhe ekg, pesë aparate për matjen e tensionit të gjakut, 10 karroca invalidore, 15 krevate elektrike, 100 batanije, më pas çarçafë, jastëk etj. Kjo ndihmë do të kontribuojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në institucionin tonë shëndetësor”, ka thënë Halili.

Ai shprehu falënderim të madh në emër të tij dhe në emër të të punësuarve, por, siç tha edhe nga qytetarët, për trajtimin e të cilëve kjo do të thotë shumë.

Dibrani Erbeli edhe më parë ka donuar për qytetin dhe bashkëqytetarët, për çka kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, kohë më parë i dhuroi mirënjohje komunale për humanizmin e tij.