Pamje nga rrënimi i restorantit të Kokëdhimës, sulmuesit që tmerroi turistët spanjollë

Shpërndaje

IKMT dhe Policia kanë zbarkuar në restorantin ‘Panorma’ të Mihal Kokëdhimës, i cili 6 ditë më parë sulmoi disa turistë spanjollë.

Mësohet se IKMT e mbështetur edhe nga policia kanë prishur restorantin e Kokëdhimës në Porto Palermo, pasi ishte një ndërtim pa leje. Sipas IKMT restoranti në një sipërfaqe prej 2 mijë metra katror ishte i ndërtuar pa leje.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë. Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit”, thuhet në njoftimin e IKMT.

Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit. Menjëherë pas përfundimit të këtij operacioni, IKMT do të vijojë punën në gjithë vijën bregdetare te vendit.