Zaevi i përgjigjet Bexhetit: Të gjithë janë të barabartë para ligjit

Shpërndaje

Pasi kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, gjatë ditës pohoi se kryeminstri Zaev po i bën presion që të ndikojë tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor Republikan, për të ndërruar një kryetar të një gjykate, ka reaguar kryeministri.

Zaev ka thënë se ai flet me të gjithë kryetarët e komunave kur bëhet fjalë për problemet e komunave e sidomos të qytetarëve, probleme në të cilat mund të ndihmojë Qeveria.

Reagimi i plotë i kryeministrit Zoran Zaev:

“Me kryetarin e Komunës së Sarajit, Blerim Bexhetin, kam diskutuar për problemin e zgjerimit të terasave ilegale në Matkë. Kam kërkuar që të veprohet sipas ligjit dhe përmes institucioneve të sistemit. Këtë e kërkojnë edhe qytetarët, dhe ne do ta sigurojmë sepse është punë e institucioneve publike. Detyra e kryetarit është të punojë në interes të qytetarëve, jo të mbrojë ndërtesat e paligjshme. Çdo kush e ka për detyrë të punojë dhe veprojë ekskluzivisht sipas ligjit. Ndërsa sa i përket punës së Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit, gjykojnë vetëm ata që e paguajnë punën e tyre, e ata janë qytetarët. Nuk është objektive që për punën e Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit të gjykojë ata kundër të cilëve janë ngritur raste.

E vërteta e asaj që kam biseduar me Bexhetin si koordinator i ekipit juridik të BDI është si më poshtë:

Kam folur për shumë çështje që janë të rëndësishme për të marrë një datë për negociatat me BE-në. Kemi folur për gjithçka, për Ligjin ende të pamiratuar për Prokurorinë Publike, ligjet e miratuara për gjykatat dhe këshillin gjyqësor, dhe si të kontribojmë që ligjet e sjellura të miratohen, të funksionojnë. Me atë kam folur se të gjithë pjesmarrësit në institucionet e drejtësisë, të zgjedhur në Parlament, duhet të jenë shembull për pjesëmarrësit e tjerë në gjyqësor dhe të marrin vendime, dhe jo për shkak të ndonjë justifikimi për të vonuar përgjithmonë vendimet.

Edhe sot e përsëris qëndrimin se shtetin e së drejtës mundemi ta fitojmë ashtu siç e duam të gjithë, vetëm nëse mundësojmë që të gjithë pjesmarësit në gjyqësor të vendosin lirshëm dhe të jenë të pavarur pa u bërë presion për thelbin e vendimeve të tyre, por sigurisht edhe mos t’u lejohet ose t’u bëhet presion për anulimin e vendimeve. Bexheti, politikanët dhe qytetarët e din mirë se anulimi i vazhdueshëm i vendimeve në Këshillin gjyqësor, në Gjykatën Supreme, në Gjykatat e apelit si dhe në Gjykatat themelore në tërë shtetin janë njëra nga arsyet më serioze për kthimin e ngadalshëm të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së drejtësisë.

Për më tepër, me Bexhetin kam folur edhe për spekulimet në opinion se dikush po e mbron Jovo Vangellovskin në Këshillin Gjyqësor. Më interesonte a ka diçka të vërtetë në këtë dhe i thash që një sjellje e tillë, nëse ekziston, nuk është e mirë. Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit, pavarësisht funksionit që e kryen. Këtë ia kam thënë Bexhetit, këtë e them edhe publikisht”, përfundon në reagimin e kryeministrit Zaev. /SHENJA/