Albin Kurti për zgjedhjet e 6 tetorit: Fitoren e kemi të sigurtë, por do na duhet partner

Shpërndaje

Kreu i Lëvizjes VetëVendosje në Kosovë, Albin Kurti në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempora” në RTV Ora tha se shkon me shanse të sigurta në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kurti nuk e mohoi faktin se pas zgjedhjeve do t’i nevojitej edhe një partner për të kaluar në qeveri.

Pjesë nga Intervista: 

Gazetarja: Mendoni që mund të dilni i vetëm fitues dhe në qoftë kështu, e cilësoni dështim pamundësinë e arritjes së një koalicioni  parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Albin Kurti: Në zgjedhjet e kaluara ne kemi dalë me 32 deputetë, 12 parti të tjera u bënë bashkë dhe i kishin 39 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës me 4 parti të tjera mbeti me 29 deputetë. Ne sërish garojmë vetë, por tani 12 parti janë shkapërderdhur dhe tani e kemi rrugën e hapur. Lëvizja VV e ka rrugën e hapur dhe marr shans të sigurtë drejt 6 tetorit. Pas zgjedhjeve duhet ta shohim rezultatin. Jemi me siguri të parët do të na nevojitej edhe dikush si partner.

“Besoj që me fitoren e Lëvizjes VV. Kur ne të dalim të parët do të ketë ndryshime tektonike në të gjitha partitë politike”, – kështu tha kreu i VetëVendosjes, Albin Kurti në RTV Ora.

I pyetur se sa e hapur është mundësia për koalicion paszgjedhor, Kurti tha se VV e preferon Lidhjen Demokratike të Kosovës, por duhet të shohim se kush po fiton prej deputetëve.

Gazetarja: Sa e hapur është mundësia për koalicion paszgjedhor? Se nuk shoh që paskeni një çarje të fortë, tektonike që e bën të pamundur. 

Albin Kurti: I vetmi garancion në Kosovë që Partia Demokratike e Kosovës të mbetet në opozitë është fitorja e Lëvizjes VV, s’ka garancion tjetër. Natyrisht që ne e preferojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës, por duhet ta shohim se kush po fiton aty prej deputetëve. Besoj që me fitoren e Lëvizjes VV, kur ne të dalim të parët do të ketë ndryshime tektonike në të gjitha partitë politike. Sepse ndryshojnë kordinatat e situatës. Fitorja e VV nuk është një fitore e zakonshme, pra nuk është ndryshim ministrash, por është ndryshim me “N” të madhe. Është reformim brenda politik, është transformim sistemi, prandaj na kanë vonuar dhe penguar kaq shumë.

Dështimi i koalicionit me LDK-në

“Unë kam qenë dorë çlirët, ata nuk kanë lëshuar fare pe”, kështu ëstë shprehur kreu i Lëvizjes VetëVendosje, Albin Kurti teksa foli për dështimin e koalicionit me Lëvizjen Demokratike të Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Tempora” në RTV Ora, Kurti tha se  “dora e çlirët” e tij lidhet me lëshimine postit të kryeministrit, kalimi në vend të 2-të, në një kohë kur vendi i parë merr më shumë vota.

Pjesë nga intervista: 

Gazetarja: Fakti që ju ishit i gatshëm për një koalicion me LDK-në  dëshmoi që edhe VetëVendosja në një mënyrë apo në një tjetër e njeh kompromisin, tërheqjen, praninim e disa gjërave. Deri ku është kufiri i kompromosit të Lëvizjes së VetëVendosjes?

Albin Kurti: Unë kam problem kompromisin me Serbinë, sepse me shqiptarët kam bërë tërë kohën kompromise. Koncesione brenda oborrit tonë pafundësisht. Por që Serbia na ka bërë shumë dhe unë aty them jo negociata, në kuptimin e pazareve me territorin tonë. Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme dhe të mos harrojmë, që ne të VV nuk jemi radikalë për nga karakteri, siç jemi përftuar zakonisht. Por jemi jashtëzakonisht radikal për nga tema. Pavarësisht se për çfarë teme bëhet fjalë. Me këta unë kam qenë shumë dorë çlirët, ata nuk kanë lëshuar fare pe. Unë kam qenë i gatshëm të heq dorë nga pozita e kryeministrit, të merremi vesh njëherë me LDK-në dhe mandej të shkojmë në Këshill të Përgjithshëm dhe të jem numër 2 aty, kur numri 1 merr më shumë vota se numri 2.

“Nuk kam përjashtuar askënd nga VV, 12 deputetët e larguar mbivlerësuan veten”

Vetëvendosje është rritur elektoralisht ndër vite duke siguruar mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.

E megjithatë vetë si forcë politike është tkurrur ndjeshëm vitet e fundit me largimin e 12 deputetëve.

Kreu i kësaj force politike, Albin Kurti, preferon të hedhë vështrimin drejt sfidave të së ardhmes dhe jo nga e shkuara.

I ftuar në “Tempora”, ai thotë se ish-deputetët e VV-së mbivlerësuan veten dhe nënçmuan këtë forcë politike të cilës i përkisnin.

Kurti: Nuk bëjnë as 2% në bazë të sondazheve dhe nuk guxuan të garojnë vetë sepse pragu është 5% dhe ndaj ju bashkuan partisë së ish-kryeministrit. Besoj se jemi forcuar sepse kur vinë të fortit forcohesh, por edhe kur ikin të dobëtit forcohesh. Jemi më të fuqishëm se kurrë më parë. Nuk kam përjashtuar askënd nga VV, mbivlerësuan veten, nënçmuan lëvizjen, bënë kalkulimin e gabuar. Nuk kam ndërmend të shikoj pas.VV nuk ka pasur asnjëherë pazare, me demokraci i marrim vendimet.

Fond sovran për Kosovën, Kurti tregon vendimin e parë si Kryeministër

Ekonomia duket se është një nga kartat kryesore të Vetëvendosjes për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Kreu i VV, Albin Kurti, në një intervistë ekskluzive për “Tempora” në Rtv Ora thotë se ka ardhur koha për të hapur një kapitull të ri për vendin.

Kurti: Kanë ndryshuar shumë gjëra në Kosovë, disa prej tyre për shkak të punës sonë, disa për shkak të mbrapshtive të pushtetit. Ne kemi ndryshuar për mirë dhe qytetarët na mbështesin si asnjëherë më parë.Në 2017 kemi dyfishuar votat tona, tani nuk kemi nevojë të dyfishohemi sërish për të fituar, mjafton të rritemi edhe një duzinë  për qindje (12%) për të hapur një kapitull të ri jo më me emigrim të rinjve por punësim, jo me defiçit tregtar por zëvendësim të importeve me shtim të eksportit, jo më me korrupsion dhe nepotizëm në institucione por me qeverisje të mirë dhe shtet zhvillimor. Tashmë ka ardhur koha dhe të gjithë kemi ndryshuar për të mirë.

I njohur për qëndrimin e tij ekstrem opozitar, Kurti thotë se çdo kundërshtim është bërë nga një pozicion i caktuar.

Kurti: Çdo kundërshtim bëhet nga një pozicion i caktuar. Kur kemi bërë kundërshtimin e kemi bërë nga një pozitë e caktuar, nuk kemi dashur pazare me Serbinë por vetëvendosje për popullin e Kosovës.Kemi kundërshtuar privatizimin neoliberal të egër dhe abuziv.

I bindur te fitorja, Kurti e ka gati edhe planin qeveritar, madje edhe zbulon se cili do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së tij.

Kurti: Një ndër vendimet e para që do të marrim është krijimi i fondit sovran për Republikën e Kosovës i cili ja merr ndërmarrjet publike qeverisë, nga 17 vetëm 3 operojnë pa humbje. Në anën tjetër ja merr Agjencisë Kosovare  të Privatizimit ndërmarrjet shoqërore. I vendos bashkë në këtë fond sovran, ndërpren privatizimin e egër dhe në vend të tij mund të shesim aksionet e këtyre ndërmarrjeve të ristrukturuara që kanë një kryeshef ekzekutiv, të marrim një vajzë ose djalë të re nga mërgata që ka përvojë në financat globale.Nuk mund ta bëjmë brenda natës, por brenda mandatit të parë me siguri. 

Ky kryeshef të jetë i lidhur drejtëpërdrejtë me Kuvendin dhe ti japë llogari. Ky fond sovran i kombinuar me Bankën Zhvillimore të Kosovës do të na nxjerrë nga kriza ekonomike.Në Kosovë interesi në depozita është 1%, kreditë e kamatave 7%. Kemi 3.2 miliardë euro depozita, kursime të kosovarëve. 10 banka, nga të cilat 8 janë të huaja dhe 3 prej të cilave kontrollojnë 3/4 e kapitalit bankar japin vetëm 2.7 miliardë euro kredi. Prodhuesit tanë janë përtokë, kanë marrë kredi që janë si fajde me letra në bankat komerciale. Banka Zhvillimore është e domosdoshme për të lehësuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duke mos u rritur në Kosovë janë mikrondërmarrje.Duhet të dalim nga kurthi i mbijetesës për bizneset tona sepse nuk mund ti punësojmë të gjithë në zyra shteti.

Kreu i VV-së beson te zgjidhjet brenda Kosovës dhe jo jashtë saj.

Kurti: Padyshim. Ka një lloj ngjashmërie mes çlirimit politik dhe ekonomik. Nuk na vinë dot investimet e huaja në Kosovës përderisa ne nuk investojmë vetë paratë tona. 30 mijë biznese shqiptare janë në Gjermani. Nëse 1% e  tyre vinë dhe investojnë në Kosovë do të kishim nga 10 biznese në komunë. Ata thonë se nuk e kemi hall fitimin sa e kemi sigurinë, për këtë nevojitet shteti i së drejtës. Luftimi korrupsionit në Kosovë është më i lehtë se në Malin e Zi. Në Kosovë korrupsioni  nuk është kulturë, por është në sistem. Vjen prej lart-poshtë dhe jo prej poshtë-lart. Duhet të merremi së pari me korrupsionin e madh, atë që ka shumë zero pas.

Teksa flet për shtet të kapur dhe parti të korruptuara, Kurti tregon se ku ndryshon VV nga kundërshtarët e saj politik.

Kurti: Nuk jemi si ata. Dy probleme themelore janë në Kosovën e dobët si shtet. Prokurorët e dobët, e dyta prokurorimi i kriminalizuar. Duam ta çlirojmë gjyqësorin nga ekzekutivi, nuk është pushtet i tretë sepse është i kapur. Na nevojiten prokurorët që bëhen njerëzit më të famshëm në Kosovë. Me qeverinë tonë vullnetet e ndrydhura do të mund të çlirohen, qeveria ka rritur pushtetin dhe ka zvogëluar shtetin.

Po cilat janë garancitë që ofron Kurti për të qenë imun ndaj korrupsionit?

Kurti: Lëvizja jonë është shprehje e popullit të Kosovës që kurrë se ka lënë veten pa lëvizur. Nuk ka filluar me ne si VV dhe as nuk do të përfundojë me ne.

ORANEWS.TV