“Fati” i Janevës, Xhaferi dorëzon raportin tek komisioni amë

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka dorëzuar raportin e Këshillit të Prokurorëve tek Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Mbledhja e komisionit ku do të shqyrtohet shkarkimi i Prokurores Speciale, Katica Janvas mund të jetë me dyer të mbyllura për shkak të karakterit konfidencial të raportit.

Kreu i Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, Ilija Dimovski pritet që pas pranimit të shkresës, t’i njoftojë anëtarët e trupit për mbledhjen e radhës. Jo zyrtarisht mësohet se Komisioni me shumicë votash do të miratojë konkluzion për shkarkimin e Katica Janevas. Më pas Kuvendi, mbi konkluzionin e komisionit do të duhet të njoftojë Këshillin e Prokurorëve dhe të thirret seancë plenare në të cilën duhet të shkarkohet e para e Prokurorisë Speciale. Shkarkimi i saj duhet bëhet me 2/3 e votave.

Më 30 gusht Këshilli i Prokurorëve propozoi shkarkimin e Janevas mbi bazën e dyshimeve për përfshirje në rastin ”Reket” dhe mbi akuzat për punë jo profesionale dhe jo etike.

Ndërkohë avokatët mbrojtës në rastin “TNT” ku akuzohen ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakievski, kanë kërkuar delegimin e kompetencave mbi lëndën nga Prokuroria Speciale Publike në Prokurorinë Publike. Kërkesën e tyre avokatët e kanë dorëzuar në Kuvend, Këshillin e Prokurorëve dhe në Gjykatë. Arsyetimi i tyre është se askush nuk është mbi ligjin dhe për këtë arsye, lëndën TNT nuk mund ta përfaqësoj Specialja. Gjykatësi i lëndës Ognen Stavrev ka deklaruar se mbi këtë çështje është vendosur njëherë dhe se lëndën mund ta përfaqësoj prokurori special Burim Rrustemi. Shkarkimi i Janevas pritet në ndodhë para harmonizimit të qëndrimeve mes pushtetit dhe opozitës mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike i cili aktualisht gjendet në procedurë parlamentare.