Muhamedi: “Zvarritja e shkarkimit të Janevës është komedia prej struci të fajshëm që po e luan pikërisht LSDM-ja dhe kryeministri – qiraxhi i saj, Zaevi”

Shpërndaje

Analisti politik Nijazi Muhamedi në një prononcim për Zhurnal shprehet se zvarritja e shkarkimit të Janevës, i ngjanë komedisë prej strucit të fajshëm, të cilën sipas Muhamedit, po e luan partia në pushtet, LSDM.

Siç sqaron ai, pjesëtarët e partisë së Zaev që janë përmendur në opinion e që dyshohen të kenë gisht në këtë skandal, që moti është dashur të shkarkohen.

“Zvarritja e shkarkimit të Janevës është komedia prej struci të fajshëm që po e luan pikërisht LSDM-ja dhe kryeministri – qiraxhi i saj, Zaevi, për t’ia vazhduar asaj “imunitetin” e djegur në procesin “eventual” gjyqësor, në fakt, për kalim të lehtë të këtij procesi, e që mund të thotë, edhe për relativizim të plotë të aferës reket, në të cilën, sikundër dihet, është e futur thellë pikërisht një pjesë e kryesisë së LSDM-së, e cila duhej të jepte dorëheqje ose duhej shkarkuar nga kryetari i saj Zaevi, që ditën kur plasi afera e zhvatjeve “Reket””, shprehet Muhamedi për Zhurnal.

Siç thekson më tej Muhamedi, pushteti nuk mund të shpëtojë aq lehtë përshkak se faktori ndërkombëtar i di në hollësi gjërat dhe përmes tyre e dinë se kush gënjenë.

“Zhagitja e shkarkimit tash vetëm i përforcon shenjat se këtë e bën pjesa e pushtetit që e ka mizën e Reketit ndër kësulë dhe tregon se këtë katrahurë të veten që kompromiton keqaz funksionimin e pushtetit dhe të shtetit ligjor, don ta mbyllë përmes arrogancës si parti në pushtet dhe se duket se mendon me gjithë mend se do të shpëtojë, ose do t’ua hedhë të tjerëve, duke harruar se ai që ua zbuloi aferën(shërbimi inteligjent i një shteti fqinj dhe me dijeni të një faktori ndërkombëtar), i di në hollësi gjerat, i ka të filmuara, që i pamë ose që mund të shohim ndoshta ende, dhe përmes tyre e sheh se kush rren e kush mashtron në këtë aferë. Shkarkimi tashmë është bërë veprim qesharak, se kur suprimohet institucioni që ka drejtuar Janeva, pra, PS, është fshirë formalisht edhe funksioni i saj, edhe imuniteti poashtu”, ka deklaruar për Zhurnal analisti politik Nijazi Muhamedi.