Trajneri i Kosovës bëhet viral në rrjet, ky është reagimi epik i tij

Shpërndaje

Përfaqësuesja e Kosovës mori humbjen e parë në drejtimin e tij, por edhe një disfatë 5-3 kundër Anglisë nuk e ka “qetësuar” trajnerin, Bernard Challandes.

Zviceriani u shfaq tepër i nevrikosur me lojën e kombëtares së tij në 45 minutëshin e parë, të cilin e humbi me shifrat e thella 5-1. Shkak mendohet se u bë goli i dytë i Sancho, me talentin e Borussia Dortmund që shënoi në kufinjtë e pozicionit jashtë loje. Një situatë që ngjalli zemërim te Challandes, i cili u pikas nga kamerat e televizioneve angleze.

Por, ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen, duke u bërë edhe virale në rrjet, ishte reagimi i tij pasi shikoi se objektiv i kameras ishte ai. Një buzëqeshje e lehtë, çka solli të qeshura edhe në studion televizive. Me rikthimin në fushë, Kosova reagoi, duke shënuar dy herë për të ngushtuar rezultatin me shifrat 5-3.

Takimi ishte i vlefshëm për raundin kualifikues të Euro 2020, grupi A. Pas kësaj fitoreje, Anglia merr kreun e grupit me 12 pikë, 4 më shumë se Kosova e vendit të tretë.