Ka ndërruar jetë profesori i UT-së dhe mjeku, Agim Ramadani nga Tetova

Shpërndaje

Në moshën 64 vjeçare sot ka ndërruar jetë Agim Ramadani, mjek në spitalin e Tetovës dhe ish-deputet nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Ka punuar në Repartin për mjekësi ligjore dhe patologji, ndërsa ka qenë edhe deputet në Kuvend në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2008.

Agim Ramadani ka lindur më 3 tetor të vitit 1956, në fshatin Zhelinë, rrethina e Tetovës.

Ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, kurse specializimin për Mjekësi Ligjore dhe Patologji e kreu në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup. Për mbi 15 vite ka udhëhequr Mjekësinë Ligjore dhe Patologjinë në Tetovë, kurse ndërkohë ka magjistruar dhe doktoruar në drejtime që lidhen me profesionin primar.

Ramadani ka qenë edhe profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup dhe Tetovë.

Pas vetes ka lënë kontributin shkencor dhe mjekësor. Në vitin 2015 ka botuar librin e parë në shqip me praktika të mjekësisë ligjore. Gjithashtu ka qenë themelues i Shoqatës së mjekëve dhe stomatologëve shqiptar në Maqedoni.

Ramadani ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve.

Varrimi do të bëhet nesër (4 mars) pas namazit të drekës.

Stafi i portalit ALBAZONE MEDIA, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes RAMADANI, kurse të ndjerrit ZOTI ia faltë XHENNETIN!