Kundërvajtje e rrezikshme për Kosovën

Shpërndaje

Shkruan: Ilir Copja

Me shpalljen e gjendjes së pandemisë nga ana e OBSH-së vuri para gjithë botës detyrën emergjente të luftimit të Coronavirusit. Kryefjala e apelit të OBSH-së ishte dhe mbetet koordinimi ndërkombëtar në marrjen e masave të njëtrajtshme për frenimin e Covid 19. Përballë një armiku të përbashkët, të padukshëm dhe vdekjeprurës solidariteti mes shteteve është në nivelet më të larta që pas LIIB. Pandemia ka ulur ndjeshëm konfliktet e brendshme social-politike të shteteve sepse kanë kuptuar se asnjë grupim shoqëror apo politik nuk është imun ndaj virusit dhe smund ta luftojë i vetëm. Po në Kosovë ç’po ndodh?

Kosova u prek relativisht vonë nga Covid 19 krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit. Kjo i dha kohë që të merrte paraprakisht masa për të parandaluar Coronavirusin. Pavarësisht masave të marra me të zbritur në kosovë brenda thuajse njëzet ditëve shënon 88 raste nga të cilat një person i shëruar dhe një tjetër ka ndërruar jetë me një rritje prej 4.4 raste të reja në ditë. Përhapja e Covid 19 në Kosovë nxorri në pah brishtësinë e sistemit shëndetësor ku ka vetëm një epidemiologe në detyrë dhe një spital infektiv. Në mesin e situatës së emergjenxës kombëtare shpërtheu dhe një sëmundje e vjetër. Kjo sëmundje është etja për pushtet dhe ambiciet personale. Mbrëmjen e datës 25 mars u finalizua me sukses me mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë në detyrë që u përkrah nga 2/3 e parlamentit.

Mocioni i votëbesimit është forma më demokratike për të zbritur nga pushteti qeverinë. Kjo metodë lejon një ndërrim pushteti paqësor dhe hap rrugën një alternative të re qeverisëse për vendin. Ndërrimi i pushtetit me anë të mocionit të mosbesimit ngjason me Revolucionin e Lavdishëm anglez, i quajtur i tillë pasi mbreti Xhejmsi II u rrëzua nga froni pa derdhur një pikë gjak. Po në Kosobë a do jetë pa pasoja ky mocion votsbesimi? A do shkaktojë gjakderdhje?

Rasti i Kosovës është i rrallë pasi mocioni i votbesimit u kërkua nga një partner koalicioni qeverisës që kishte zgjedhur nga rradhët e tij Zv kryeministrin, kryetaren e parlamentit dhe dissa prej ministrave. Ky rast ngjason pak me përrallën e Nastradinit I cili preu degën ku ishte ulur vetë. Ta lësh vendin me një qeveri në largim në kulmin e emergjencës shëndetësore kombëtare nuk duket një akt i lavdishëm. Në politikë vendimet dhe veprimet politikanët i paraqesin si dëshira të popullit. Po populli shqiptar i Kosovës si e priti këtë mocion votëbesimi ndaj qeverisë? Kërkuesit e mbajtjes së këtij mocioni pretenduan se vepruan në emër të mbajtjes së marrëdhënieve të mira me partnerët ndërkombëtar, po vetë ata si u shprehën?

Qytetarët e Kosovës nëpërmjet rrjeteve sociale dhe protestës së tyre origjinale në dritaret e pallateve shprehën kundërshtinë e tyre për mbajtjen e mocionit të votbesimit të qeverisë në këto moment. Vlen të veçohet fakti se edhe kryetarja e kuvendit dhe ish gjenerali Anton Quni bënë përpjekjet finale për një zgjidhje të ngërçit politik, por ishte e kotë. Faktori ndërkombëtar gjithashtu bëri thirrje për gjetjen e një marrëveshjeje përpara mbajtjes së mocionit. Në fund mocioni i votbesimit u realizua dhe fitoi. A rrezikon të shkaktojë gjakderdhje post mocioni?

Pavarësisht se aktorët kryesorë politikë në Kosovë nxituan të qetësojnë opinionin publik se qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re, reagimi I qytetarëve para kamerave shpreh panik. Ata kanë një përshtjellim ndjenjash, kapluar nga pasiguria dhe frika. Nëse analizojmë të dhënat e worldometer rreth përhapjes së Covid 19 kanë të drejtë të frikësohen.

Po ti hedhim një sy trendit të përhapjes së virusit numrin më të madh të rasteve të reja e kanë SHBA-të, Italia dhe Spanja. Pse pikërisht këto shtete? A mund të ndodhë në Kosovë i njejti skenar?

Këto shtete kanë një të përbashkët mes tyre, decentralizimin e pushtetit dhe vatra alternative pushteti. Nga vetë emri SHBA-të janë një bashkësi shtetesh nën një qeverisje federale, por këto shtete kanë edhe mjaft autonomi dhe vendimet e qeverisë federale shpesh nuk janë në një gjatësi vale me qeverinë e shteteve. Një situatë më e ndërlikuar paraqitet në Itali, ku dy prej krahinave kanë status autonom dhe vec kësaj ka tre minishtete në brendësi të gadishullit. Së fundmi Spanja është në një luftë të brendshme të vazhdueshme dhe të pashuar mes qeverisë së Madridit dhe parlamenteve krahinore që kanë zanafillën që në kohën e rekonquistës spanjolle. Këto dualitete bënë që masat dhe vendimet e marra nga qeveritë qëndrore të mos zbatohen njëtrajtësisht në të gjithë territorin. A ju ngjan me Kosovën?

Kosova që nga moment i mbarimit të luftës vazhdon të ketë probleme me zotërimin e territorit. Mitrovica e veriut dhe komunat në veri me shumicë serbe pothuajse janë jashtë sovranitetit të saj. Në këto territore gjenden pika hyrëse në drejtim të Kosovës të cilat janë më së shumti nën kontrollin e serbëve të Kosovës me bekimin e Beogradit. Krijimi I bashkësisë së komunave serbe pothuajse e shkëputi këtë zonë nga Prishtina zyrtare. Veç kësaj çfarë rreziku i vjen tjetër Kosovës nga modeli Italian, Spanjoll apo I SHBA-së?

Krerët e qeverive në këto tre vende janë sulmuar ose kanë pushtet të dobët politik. Në Itali, kryeministri në detyrë si shumë të tjerë në historinë e Republikës së Italisë është prodhim I marrëveshjeve politike mes palëve fituese. Kjo zgjidhje e mesme në tavolinë ka sjellë në pushtet personazhe të pavotuar dhe kjo bën që tek qytetarët të shfaqet mosbindja civile sepse e konsiderojnë si dicka të huaj e jo si udhëheqësin e tyre. Situata në spanjë është më separatiste, pas pothuajse tridhjetë vjetësh atentate dhe sulme terroriste nga organizata terroriste baske ETA, së fundmi qenë katalanët që bënë një referendum për pavarësi nga Spanja. Në SHBA zgjedhja e Trump krijoi më shumë trazira sociale se çdo president tjetër në historinë e vendit duke përmendur, nepotizmin në emërimet në Shtëpinë e Bardhë, akuzat seksiste, Russia Gate dhe komisioni hetimor i kongresit. Ngjarje këto që e zhvlerësuan figurën e presidentit dhe qytetarët të zbatijnë vendimet e tij.

Situatë e ngjashme është në Kosovë, ku kryeministri dhe presidenti nuk ranë dakord për planin e masave ndaj Covid 19. Shkarkimi i ministrit të të brendshëm ishte pika që derdhi gotën dhe nxorri në sipërfaqe qëbdrimet diametralisht të kundërta. Qëndrimi në llogore pa pranuar ndërmjetësim dhe ulje në tryezë i la qytetarët në mes të fushës së betejës mes dy kampeve ndërluftuese. Tani që aleanca qeverisëse u prish ecuria e luftës së brendshme politike duket mjaft e paqartë deri në konfigurimin e aleancave të reja. Problemi i përbashkët i qytetarëve të Kosovës në këto momente është virusi Covid 19 i cili po gjunjëzon vendet e zhvilluara dhe me një përvojë më të konsoliduar në përballimin e emergjencave të tilla. Problemet logjistike dhe në burime njerëzore që ka Kosova, normale për një shtet të vogël, jetëshkurtër të shumëvuajtur dhe me plagë të hapura e gjitha shfaqen në mesin e një lufte të ashpër për pushtet.

Me argumentimet e dhëna më sipër uroj të jap një kontribut modest në reflektimin e shqiptarëve të Kosovës dhe klasës së saj politike. Në luftën politike në Kosovë unë jam me shqiptarët e Kosovës. Sipas këndvështrimit tim duke analizuar faktet historike dhe shifrat zyrtare, mocioni i votëbesimit është veprimi i duhur në kohën e gabuar. Në politikë, interesat personale paraqiten si interesa publike, pretekstet paraqiten në arsye madhore, e drejta ndjek parimet e tragjedive eskiliane. E drejta kalon nga një personazh tek tjetri në varësi nga veprimet e kryera. Në shtetet e tjera të botës ardhja e një armiku të jashtëm, të fshehtë dhe vdekjeprurës bashkoi familjet dhe shoqëritë ndërsa në Kosovë ndau duke nxjerrë në pah karakterin individualist shqiptar. Me urimin që forcat ndërluftuese në Kosovë të vendosin një armëpushim dhe të bashkojmë resurset ekonomike dhe njerëzore për të luftuar këtë armik të përbashkët, të fshehtë, të pamëshirshëm për të mos u përsëritur skenarët e përmendur më sipër, SHBA-së, Italisë dhe Spanjës.