Pamje nga karantina në Kodrën e Diellit, personat e vendosur të pakënaqur me kushtet (Foto)

Shpërndaje

Gjatë ditës së djeshme dhe sot në disa hotele në Kodrën e Diellit janë vendosur disa persona në karantinë të detyruar, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Sipas ELEM-it, akomodimi është realizuar dje dhe sot, ndërsa kapacitetet e hoteleve janë të mbushura me qytetarë që u kthyen me fluturime të organizuara nga Vjena dhe Bazeli, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga ELEM thonë se shpërndarja e ushqimit, ujit dhe produkteve tjera të higjienës bëhet nga stafi i “Elem Tours”.

Por, disa nga qytetarët që janë dërguar në Kodrën e Diellit, janë ankuar për kushtet që i kanë hotelet. Në disa fotografi që i kanë dërguar për Telegrafi Maqedoni, shihet se kushtet nuk janë të përshtatshme për të qëndruar.

Personat që janë vendosur në karantinë të detyruar në Kodrën e Diellit, nuk janë të kënaqur me kushtet.

Ata thonë se nuk ka kushte që aty të qëndrojnë për 14 ditë, aq sa janë të detyruar nga masat qeveritare.

Në hapësirat e disa hoteleve në Kodrën e Diellit në karantinë janë vendosur 154 persona, të cilët janë kthyer nga vendet që konsiderohen me rrezik të lartë.

Nuk dihet nëse qytetarët që janë në Kodrën e Diellit do të mbeten atje, ose do të dërgohen në hapësira tjera.