Vazhdojnë rritjet e çmimeve të produkteve farmaceutike – rritje marramendëse në Prishtinë e Podujevë

Shpërndaje

Po vazhdon ngritja e çmimeve të produkteve farmaceutike, krejt kjo pas preventivave që ka marr Qeveria e Kosovës kundër virusit COVID-19.

Në adrese të Insajderit qytetarët janë ankuar për rritjen e çmimit të Gelit Antibakterial për duar në sasi prej 300ml që kushton afro 5 euro, apo 4.90 cent, më parë kushton rreth 2 euro.

Blerja është bërë në barnatoren “Joni”, rruga e Pejës në Fushë Kosovë.

Një tjetër qytetar ka dërguar kuponin fiskal ku ka kryer blerje në barnatoren “Rexall” në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Prishtinë.

5 maska të thjeshta për inhalim i kanë kushtuar plotë 25 euro, teksa dy litra alkool 10 euro, produkte këto që më parë kushtonin dukshëm më pak.

Rritja e çmimeve në vend është rritur tash e dy ditë pasi që koronavirusi u alarmua në vendet e rajonit dhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat mbrojtëse kundër koronavirusit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Shoqata e Farmaceutike ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i trajtoj farmacistët si partnerë të rëndësishëm në përpjekjen globale për parandalimin e epidemisë së COVID-19.

“Me këtë rast edhe çmimet e produkteve farmaceutike ndryshojnë në varësi të çmimit të furnizimit momental. Përgjegjësitë dhe obligimet e farmacistëve në veçanti gjatë kësaj periudhe janë: Furnizimi i mjaftueshëm me pajisje mjekësore (maska, dorëza, mjete të tjera dezinfektuese) Informimi i drejtë dhe edukimi i qytetarëve mbi masat e parandalimit të përhapjes së infeksionit Konsultimet dhe referimet te mjeku kur është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Kryeinspektori i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Lulzim Syla, bazuar në urdhëresën e ministres Rozeta Hajdari ka hartuar planin jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar nga virusi Korona.

Prandaj bazuar në këtë plan inspektorët janë në monitorim të tregut edhe jashtë orarit të punës, për t’i mbikëqyrur çmimet nëpër markete, me theks të veçantë produktet ushqimore dhe higjienike, në rast se ka ngritje të çmimeve. /Insajderi.com