Situata politike në Kosovë. Kurti gati të kontestojë qeverinë Hoti në Kushtetuese

Shpërndaje

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, po vazhdojnë përpjekjet për krijimin e koalicionit qeverisës, mbi bazën e mandatit që kësaj partie ia ka ofruar presidenti Hashim Thaçi, edhe pse letra e tij nuk është bërë ende publike.

Ndërkohë, sic thotë Telegrafi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur se do ta kontestojë formimin e kësaj qeverie përmes Gjykatës Kushtetuese, sapo të bëhet publike letra apo shkresa zyrtare e presidentit. Aktualisht, LDK-ja ka marrë mbështetjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e koalicionit, dhe është në pritje të përgjigjeve zyrtare edhe nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, Lista Serbe dhe partitë nga pakicat tjera.

Por, pavarësisht se nga partitë tjera ende nuk ka një qëndrim zyrtar, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi se prêt që mbase javën e ardhshme, koalicioni mund të jetë gati dhe të kërkojë votat e miratimit në Kuvendin e Kosovës. Për miratimin e qeverisë në kuvend kërkohen të paktën 61 vota. LDK-ja ka 28 deputetë, por 4 prej tyre, edhe sipas deklaratave të vetë zyrtarëve të kësaj partie mbeten në pikëpyetje nëse do ta mbështesin qeverinë e re. Këtu bën pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. AAK-ja ka 13 deputetë, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 4 dhe Aleanca Kosova e Re 2 deputetë.

Mbetet po ashtu i paqartë numri i votave nga pakicat joserbe, që përbëjnë 10 deputetë, por 4 prej tyre nuk janë pjesë e grupit 6 Plus, që i përfaqëson këto komunitete në Kuvend.