ASH: Shqiptarët e karantinuar dënohen pse kërkojnë te flasin shqip!

Shpërndaje

Ndihemi të indinjuar si çdo qytetar tjetër i vendit tonë, që Qeveria e këtij shteti edhe në kohë pandemie funksionon me njoftësi duke bërë dallime nga të cilat disa përfitojnë derisa të tjerët paguajnë çmimin për këtë!

Fatkeqësisht në karantinë shtetërore përfundojnë vetëm personat që nuk kanë të njohur, deri sa të tjerët lirohen në izolim shtëpiak. Sikur kjo të mos mjaftonte dokumentet që duhet nënshkruar gjatë karantinës të gjithë i pranojnë në gjuhën maqedonase edhe përkundër kërkesës së shumë qytetarëve që këto dokumente t’i pranojnë në gjuhën shqipe.

Aleanca për Shqiptarët disa herë ka reaguar për këtë çështje sepse kjo e drejtë që po u shkelet qytetarëve të vendit tonë, ka filluar t’ju kushtojë shtrenjtë atyre.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dje nëpërmjet një konference për media potencoi se çdo qytetarë ka të drejtë të informohet në gjuhën që e kupton, e sidomos kur kjo e drejtë i sigurohet edhe me kushtetutë dhe ligj!

Por, sot jemi dëshmitar të një aktgjykimi me të cilën shpallet fajtor një person i cili nuk ka pranuar të nënshkruajë dokumentin që i është dorëzuar vetëm në gjuhën maqedonase për shkak se nuk e ka kuptuar kërkesën që i është bërë.

Shteti ynë përveç se i ka shkelur një të drejtë të garantuar sipas ligjit, në këtë kohë krize po rëndon pa të drejtë gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Shpresojmë kjo të mos jetë mënyrë prej të cilës qeveria jonë sërish shikon të godet xhepin e qytetarëve, për të mbushur arkën shtetërore prandaj kërkojmë që këto aktgjykime të shpallen të pavlefshme. Arsyetimi i dënimit nuk mban asnjë bazë juridike, sepse asnjë qytetarë nuk mund të detyrohet të nënshkruajë diçka që nuk kupton, dhe veç dokumenteve qytetarëve duhet t’ju sigurohet edhe përkthyes.

Në bazë të kësaj kërkojmë që çdo dënim të shpallet i pavlefshëm, sepse ne duhet të jemi në shërbim të qytetarëve për t’ua lehtësuar gjendjen dhe jo për t’ua rënduar atë.