Ruajtja e identitetit është virtyt qytetarie

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

(Teoria reaksionare për krijimin e një shoqërie të vetme globale, me njerëz pa identitet, është sikur krijimi i një bote me një lloj të vetëm gjallesash, apo një lloji pemësh, nga mijërat të tjera me shije të ndryshme. Çfarë kuptimi do të kishte një botë e tillë, pa shumëllojmëri dhe pa shije?)

Ruajtja e përkatësisë kombëtare, e identitetit dhe gjuhës, siç i ka krijuar Zoti, është ndërgjegje dhe vlerë qytetarie.

Popujt janë sikur pemët, ushqehen përmes rrënjëve dhe gjetheve, jo përmes trungut të tyre; kështu, popujt që nuk e njohin dhe mësojnë të kaluarën e tyre dhe nuk ushqejnë ideale për të ardhmen, trungu i tyre venitet e thahet përbrenda, pa e goditur fatkeqësitë nga jashtë.

Dobia nga kozmopolitizmi*, internacionalizmi dhe globalizimi i njerëzimit; idetë sataniste për krijimin e një shoqërie me identiteti dhe gjuhë të vetme në botë, nuk janë vullnet i Zotit, por pjellë e djallëzisë së antinjeriut, që më lehtë mund të kuptohet sikur evolucioni të shkonte në drejtim të krijimit të një gjallese të vetme në botë, apo të një lloji të vetëm peme nga sa lloje ka me shije të ndryshme, çfarë do të ishte kjo botë?

Kujdesi për shëndetin e popullit që i takon është obligim i secilit njeri me virtyte qytetarie, sikur kujdesi për shëndetin dhe trupin tuaj.

Njerëzit pa këto virtyte janë vetëm qenie biologjike dhe hallka të zakonshme në zinxhirin e jetës në këtë botë, sa për ta ruajtur vazhdimësinë e qenies njerëzore, pa lënë asnjë gjurmë, sikur gjallesat tjera pa ndërgjegje njerëzore.

* Kozmopolitizëm m.
Teori reaksionare, që përpiqet të shuajë veçoritë e ndjenjat kombëtare, duke quajtur për atdhe gjoja gjithë botën, duke përçmuar vlerat e mëdha të kulturave e të traditave kombëtare dhe duke u mohuar popujve të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në emër gjoja «të bashkësisë së njerëzve të gjithë botës», «të shtetit botëror» etj., me qëllim që të përligjë nënshtrimin e sundimin e popujve.