Soreca: Ndihmë për rimëkëmbjen! Shqipëria në segmentin e fundit të rrugës së reformave

Shpërndaje

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, shpreh mbështetjen e vijueshme për Shqipërinë.

Duke folur mesditën e sotme me rastin e ditës së Europës, në konferencën me Kryeministrin Edi Rama, ai tha se 230 milionë euro janë përcaktuar për Shqipërinë, ku 4 milionë janë për shëndetësisë, por edhe pajisjet për personelin mjekësor, do të vijojnë.

“45 milionë euro të tjera do të jenë gati në korrik për mbrojtjen sociale për pjesën më të cenueshme të shoqërisë. BE ka vendosur 480 milionë euro për huamarrje, do të jenë të disponueshme në fillim të korrikut. BE-ja në rajon është donatori më i madh këtu dhe është e rëndësishme të mos e harrojmë. Do të ketë edhe një plan ekonomik të investimeve në 6 mujorin e dytë të vitit për rimëkëmbjen, transportin, energjinë dhe infrastrukturën”, u shpreh Soreca.

Ambasadori shtoi se data 25 mars për çeljen e negociatave është historike, Shqipëria është në segmentin e fundit të reformave.

Sipas tij, rimëkëmbja ekonomike duhet të shoqërohet dhe me vijimin e reformave.

Soreca deklaroi ese “Shqipëria është në segmentin e fundit të rrugëtimit dhe reformat duhet të vijojnë patjetër. Përfundimet e Këshillit të BE-së kanë identifikuar në udhërrëfyes: Sundimin e ligjit, zgjedhjet dhe luftën kundër korrupsionit dhe ne po bashkëpunojmë që këto të kryhen”. /a.y/noa.al