MSH: Kufijtë janë hapur me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive

Shpërndaje

Ministria e Shëndetësisë i ka demantuar shkrimet në disa mediume se kufijtë janë hapur pa rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive.

Nga ky dikaster thonë se hapja e kufijve është rekomanduar në mbledhjen e Komisionit me 22 qershor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Lidhur me publikimet që Komisioni për Sëmundje Infektive nuk ka rekomanduar hapjen e kufijve, Ministria e Shëndetësisë e mohon plotësisht këtë informacion. Ky informacion është i pavërtetë. MSh informon se në mbledhjen e Komisionit për Sëmundje Infektive me datë 22 qershor 2020, Komisioni vendosi të rekomandojë hapja e kufijve dhe ky vendim së bashku me vendimet dhe rekomandimet e tjera për hapjen e subjekteve ekonomike është dorëzuar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa gjatë ditës së sotme për këtë çështje ka folur edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski. Ai tha se vendimi për hapjen e kufijve nuk është politik dhe nuk lidhet me zgjedhjet, por është i bazuar në rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive dhe situatën epidemiologjike.

Ndryshe, Qeveria vendosi që nga e premtja (26 qershor) të hiqet të gjitha masat e testit negativ për coronavirus dhe karantinës gjatë hyrjes në Maqedoni, ndërsa nga 1 korriku do të lëshohen edhe aeroportet.