Prof. Mehmeti: Kush na e ka fajin për përkeqësimin e situatës aktuale nga pandemia?!

Shpërndaje

Për përkeqësimin e situatës nga pandemia aktuale në Maqedoninë Veriore

Shkruan: Abdulla Mehmeti

PSE NË MAQEDONI SITUATA AKTUALE NGA PANDEMIA ËSHTË MË E RËNDUAR SE NË SHTETET TJERA PËRRETH?

Jo se qytetarët e këtij shteti janë më të pakujdesshëm dhe të papërgjegjshëm, se nuk i respektojnë rekomandimet e organeve të pushtetit dhe të shëndetësisë, por kjo situatë është rezultat i politikave të gabuara të pushteteve të derisotëm, si:

– për shkak të politikave të gabuara ekonomike dhe sociale;

– të politikës demografike johumane dhe tepër diskriminuese, meqë në 10% të territorit, në Shkup dhe Pollog jetojnë mbi gjysma e banorëve të shtetit;

– për shkak të shkatërrimit të natyrës dhe degradimit të tmerrshëm të mjedisit jetësor;

– për shkak të importimit të plehrave nga jashtë, prej disa milionë tonelata për çdo vit, me këtë duke e rrënuar shëndetin e banorëve dhe krijuar parakushte për përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive, si në rastin e pandemisë aktuale;

– për mungesë të investimeve të nevojshme në sistemin shëndetësor, infrastrukturë, hulumtime shkencore dhe në specializimin e kuadrit;

– nga mungesa e lirisë së fjalës dhe mendimit ndryshe, me medie kryesisht të kapura dhe të kontrolluara, në shërbim të pushtetit dhe jo të qytetarëve;

– për shkak të vjedhjes së pasurisë së shtetit, buxheteve, fondeve të veçanta dhe ndihmave të jashtme, nga nëntoka kriminale dhe bandat partiake në pushtet;

– sepse shteti nuk është në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të nëntokës kriminale, partive politike dhe të klaneve partiake në pushtet.

Përderisa askush deri më sot nuk është përgjigjur para organeve të drejtësisë, nuk ka dhënë llogari askush nga drejtuesit e pushteteve të mëparshëm për vjedhjet e mëdha nga privatizimi kriminal i pronës shoqërore dhe uzurpimi i saj nga klanet mafioze, për vjedhjet në shuma prej disa miliardë dollarë të parave të shtetit dhe të qytetarëve, as edhe për politikat tjera të gabuara dhe dështimet.

Ne mbetet të shpresojmë, që në të ardhmen, me vetëdijesimin e duhur të qytetarëve, për kërkim të llogaridhënies nga organet e pushtetit për të gjitha çështjet dhe sidomos për mbrojtjen shëndetësore të qytetarëve, për transparencë më të madhe nga organet e pushtetit ndaj qytetarëve dhe informim të drejtë nga mediet e vendit, si dhe rritje të kontrollit shoqëror në vend dhe nga institucionet ndërkombëtare.