Sërish do të kthehet gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoni, nga 7 deri 10 ditë?

Shpërndaje

Në Maqedoninë e Veriut sërish do të ketë gjendje të jashtëzakonshme. Kjo imponohet jo për shkak të krizës me Koronavirusin, por për shkak të marrëveshjes së re mes kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, që zgjedhjet të mbahen më 15 korrik.

Këtë e bëri të ditur edhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, duke njoftuar për marrëveshjen e arritur me Mickovskin.

Gjendja e jashtëzakonshme duhet të shpallet në kohëzgjatje dhe me qëllim që kohëzgjatja e fushatës së mbetur zgjedhore të përputhet me 15 korrikun.

Nga kabineti i presidentit Pendarovski njoftojnë se me siguri do të pranojnë kërkesën për shallje të gjendjes së re të jashtëzakonshme, në funksion të daljes nga kriza politike.
“Presidenti nesër do të ketë paraqitje publike para qytetarëve, ku do të bëjë të ditur qëndrimin e tij”, deklaruan për Gazetën Lajm nga kabineti presidencial.

Ndërkohë po bëhen kalkulime kur do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe sa duhet të zgjasë ajo. Kabineti presidencial sot do të kërkojë mendim nga qeveria dhe KSHZ nëse kanë mbetur mbetur edhe 22 ditë, apo 20 ditë fushatë parazgjedhore, duke pasur parasysh se dy ditë tashmë kaluan (të shtunën dhe të dielën), por edhe dita e sotme. Varësisht prej kësaj do të caktohet se sa do të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme, me gjasë nga 7 deri 10 ditë.

“Presim kërkesën formale prej qeverisë dhe arsyetimin e tyre. Presidenti do të kërkojë mendim edhe nga ekspertët juridikë dhe qëndrimet do t’i bëjë të ditura nesër”, theksojnë nga kabineti i Pendarovskit.