Vendimi i Qeverisë për të ndihmuar median është selektiv dhe nuk i përfshinë të gjitha mediat

Shpërndaje

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) shprehin shqetësimin e tyre për situatën e televizioneve lokale dhe rajonale të cilët paralajmëruan se do të protestojnë duke ndërprerë pjesërisht programin e tyre.

Ky vendim i televizioneve lokale dhe rajonale vjen pasi Qeveria e RMV-së më 30 maj 2020, miratoi një dekret me fuqi ligjore, sipas të cilit mjetet nga Fondi për ndihmë dhe mbështetje për përballimin e krizës së shkaktuar nga KOVID-19 do të përdoren për të mbështetur vetëm disa media të caktuara. Me këtë dekret, Qeveria do t’ua mbulojë koston vjetore ndaj operatorit A1 pesë televizioneve kombëtare (Kanal 5, Sitel, Alfa, Telma dhe Alsat-M), si dhe gjashtë televizioneve të tjera rajonale që kanë një licencë transmetimi përmes multipleksit digjital tokësor, ndërsa kjo do të kushtojë mbi gjysmë milioni euro.

Ky vendim i Qeverisë i vë transmetuesit e tjerë që nuk janë të përfshirë me këtë masë në një pozicion diskriminues dhe me këtë dëmtohet tregu i mediave në dëm të mediave lokale dhe rajonale. Brengos fakti që qeveria nuk ka marrë parasysh mediat rajonale dhe lokale, të cilat sipas të gjitha të dhënave në vend, dhe në botë, janë ndër mediat që më së shumti janë duke u përballuar me probleme ekonomike. Kujtojmë se informatat nga bashkësitë lokale janë shumë të rëndësishme për informimin e qytetarëve, veçanërisht në këtë periudhë krize.

I bëjmë thirrje qeverisë të rishqyrtojë këtë dekret, në mënyrë që të mbulojë të gjithë transmetuesit që plotësojnë kushtet për koncesion. Kjo do të thotë që, përveç transmetuesit lokal dhe të gjithë transmetuesit kombëtarët që nuk transmetojnë përmes multipleksit digjital tokësor dhe kanë kosto të lartë të transmetimit të sinjalit, të përfshihen me këtë dekret, duke mos diskriminuar mediat në asnjë bazë.

Ju përkujtojmë që SHGM, SPGPM dhe KEMM para dy javësh reaguan kundër zgjidhjeve të nxituara për financimin e mediave dhe theksuan se nëse kriza vazhdon, duhet të gjehet një lloj mbështetjeje financiare që do të mbulojë të gjitha mediat, përfshirë këtu edhe median online.