Sela në Kumanovë: Ne vijmë për t’ju bërë të lirë

Shpërndaje

Unë edhe Afrimi u bëmë bashkë dhe i bëmë bashkë të gjithë shqiptarët. Kështu tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela nga Kumanova ku shtoi se fitorja është e padiskutueshme.

“E kur i ndamë listat vendosëm si Aleancë t’i japim bashkudhëtarë njerëzit më të mirë prej nesh. Bujarën por sidomos profesor Elmi Azirin i cili është nderi dhe krenaria jonë por edhe e Kumanovës” tha Sela.

Sipas tij ndryshimin të gjithë shqiptarët e presin. Ai tha se ata vijnë në paqe dhe fisnik ashtu sic janë shqiptarët.

“Ne vijmë për t’ju bërë më të lirë. Mos të ju gënjejnë ata që thonë që ASH dhe AAA do t’i nxjerr prej pune shqiptarët. Nuk ka për të ndodhur. Përcillni këto mesazh të gjithë shqiptarët që mundohen t’i frikësojnë”, tha Sela më tej.

Sipas tij vota e shqiptarëve do të jetë motivi për të mbrojtur cdo para dhe tatim që e paguajnë shqiptarët.

“18 vite shqiptarët votuan një koncept. Ata nuk ishin në krye të detyrës dhe ata nuk kanë pse të dalin tani me oferta të rrejshme të cilat do të shërbenin vetëm si mbulues i diskriminimit, si mbulesë i mungesës së perspektivës dhe zhvillimit ekonomik, eksploatimit dhe shtypjes që i bëhet shqiptarit”, deklaroi Sela.

Sela tha se në program janë të parashikuar 500 milionë investime direkte në vendbanimet shqiptare për t’i zgjidhur hallet e tyre.

Në këtë tubim ishte prezent edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ku ka ardhur për të mbështetur koalicionin AAA-ASH-së, i cili në fjalimin e tij tha se ka ardhur në Kumanovë, ngase aty ku është Kumanova sipas tij është edhe Kosova.

“Duke ardhur këndej e takova Albin Kurtin dhe më tha shumë të fala Kumanovës së Ismet Jasharit. Gjithmonë e kemi zemrën Kumanovë, sepse në ato momente të vështira e në atë kohë kur ndodhte gjenocidi në Kosovë e kur pushteti okupator serb me takse e bëri prush e hi ishin djemtë dhe vajzat e Kumanovës që erdhën më dhënë jetën për lirinë tonë”, tha Glauk Konjufca.

Glauku tha se lista e koalicionit pa dyshim se do të jetë lista e fitores të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Shqiptarët kanë ardhur në një moment kur rruga ndahet në dy drejtime. Drejtimi i parë është ai që ka qenë qe 18 vite. Për besë me ngrënë mjaltë 18 vjet të bën dëm, e jo më me qenë në pushtet pa ndërprerë. Rruga tjetër është rruga e ndryshimit për shqiptarët. Ne e kemi përcjell me shumë vëmendje edhe fushatën zgjedhore por edhe në përgjithësi i përcjellim me shumë vëmendje zhvillimet politike në Maqedoni. Dhe konkludimi i VV-së është ky: Meqë jemi përpara këtyre dy rrugëve: Tash është koha që shqiptarët të votojnë për ndryshime”, tha Glauk Konjufca.