Vdes nga Covid-19 në moshën 40-vjeçare polici nga Kosova

Shpërndaje

Ndërron jetë në moshën 40-vjeçare një efektiv policor në Kosovë, për shkak të Covid-19. Sipas mediave vendase, i ndjeri është Ilir Gjokaj. Ilir Gjokaj ka shërbyer në Stacionin Policor të Gjakovës.

Gjithashtu thuhet se Gjokaj ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore. Motra e tij ka bërë një postim prekës në rrjetet sociale, për ndarjen nga jeta të policit nga Gjakova.

“I dashur vëllau im, na ike në moshë të re. Na thave shpirtin bre Ilir Gjoka, ne u rritem bashk, perveç qe ishim vlla e moter, ishim shok dhe ekip i fort bashk, nuk di si do jetoj pa prezencen tende, pa shakat e tuja, pa keshillat e tua dhe pa forcen dhe mbeshtetjen e madhe qe ma dhe gjithmone.

Mungesen tënde nuk e zëvendeson askush o ylli jonë i bukur. Qe shtylla e shpisë, krenaria jonë, i shërbeve atdheut dhe popullit pa e kursyer veten në asnjë moment… qysh bre na tradhtove kshtu kujtimet me ty do të mbesin gjithmonë sirtar i çmuar i zemres time”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Sot pritet të varroset Ilir Gjoka, zyrtari policor nga ekipi reagues në Stacionin Policor në Gjakovë i cili ndërroi jetë mbrëmë si pasojë e koronavirusit.

Varrimi do të mbahet sot në ora 19:00, në varrezat e fshatit Skivjan të Gjakovës.

Drejtori i Policisë Rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta tha se zyrtari i PK-së fillimisht u trajtua në Spitalin Rajonal të Gjakovës, por, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore u dërgua për në QKUK.

“Ju konfirmojmë se kemi pranuar njoftimin nga IKSHP për vdekjen e kolegut tonë i cili që nga dita e premte ka qenë i hospitalizuar në spitalin rajonal në Gjakovë ndërsa dje, pas përkeqësimit të gjendjes është transportuar për në klinikën infektive në QKUK ku sot në orët e vona të mbrëmjes ka ndërruar jetë. I ndjeri ka qenë zyrtar në ekipet reaguese të Stacionit Policor në Gjakovë”, ka thënë Graishta

Gjoka nuk kishte sëmundje tjera shoqëruese. Kështu ka thënë një i afërm i tij në kushte anonimiteti.

“Jo bre s’ka pasë kurrfarë sëmundje. Mashkull dy metra nuk ta ka pa syri, djalë më të fortë e më trim, e më të fuqishëm… nuk mudem të shkruaj më shumë”, ka deklaruar familjari i tij.