Vetëvendosje refuzon ftesën për takimin e së hënës, nuk ulen në një tavolinë me Thaçin

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në “Facebook” ka treguar arsyet e mospjesëmarrjes në takimin e së hënës me liderët e partive politike në Kosovë. Vetëvendosje thotë se nuk mund të marrin pjesë në një tryezë ku është presidenti i Kosovës, person i cili sipas tyre po punon kundër interesave të vendit dhe pro shkëmbimit të territoreve. Arsye tjetër në shkrimi përmendet edhe një platformë që sipas tyre do të duhet të ishte përgatitur nga kryeministri, Avdullah Hoti.

“Takimi mes udhëheqësve të institucioneve dhe kryetarëve të partive parlamentare do të kishte kuptim nëse qeveria do të kishte përgatitur një platformë me kërkesa ndaj Serbisë, të cilën do të duhet ta paraqiste në Kuvend për të kërkuar miratimin e 2/3 të deputetëve. Veprimi i qeverisë pa platformë, apo me platformë që i mbahet fshehur Kuvendit, jo vetëm që e fyen demokracinë dhe ne si subjekt më i madh parlamentar, por e dëmton interesin kombëtar. Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial?” thuhet në reagim.

Partia e cila ka udhëhequr Qeverinë e kaluar thotë se Kosova nuk i ka borxh Serbisë dhe se nuk dëshirojnë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës sipas tyre nuk është diçka që mund të blihet, ajo fitohet duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë.