Merkel kërkon reformë të OKB-së

Shpërndaje

Në 75 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka vlerësuar meritat e OKB-së, por ka kërkuar edhe reformimin e saj. Merkel mbështet zgjerimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Shumë shpesh Këshilli i Sigurimit është i bllokuar, kur vjen puna për të marrë vendime të qarta. Ne kemi nevojë për reforma”. Ky është thelbi i mesazhit me video që kancelarja Merkel ka dërguar me rasin e 75 vjetorit të krijimit të OKB-së në Nju Jork. “Kombet e Bashkuara mund të jenë aq të suksesshme, sa ç’ bien dakord vendet anëtare”, tha politikanja e CDU-së. Për të zgjidhur sfidat globale të shekullit të 21-të, duhet që OKB të zhvillohet më tej.

Në video-mesazhin me rastin e ceremonisë për jubileun e OKB-së, Merkel ka kritikuar qartë bllokimin e punës së OKB-së. Kancelarja nuk përmendi as vende si Kina apo Rusia dhe as presidentin amerikan, Donald Trump, që ka preferuar veprimet unilaterale në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Por ajo ishte më se e qartë, kur tha, se shumë shpesh “Kombet e Bashkuara mbesin mbrapa idealeve që i kanë vënë vetes, sepse gjithmonë interesat e vendeve të veçanta pengojnë që sistemi i rendit të funksionojë si duhet të funksionojë.” Merkel shtoi këtu se “kush mendon, se mund t’ia dalë vetëm mbanë, gabohet. E mira jonë e të gjithëve ndahet. Si vuajtja. Ne jemi një botë.” Kancelarja gjermane ka marrë si shembull pandeminë e Coronës që tregon, se “problemet globale kërkojnë në të gjitha nivelet mirëkuptim dhe bashkëpunim përtej kufijve të vendeve”.

Merkel për një Këshill Sigurimi të zgjeruar