Vetëvendosja kundër deklaratës së Trump për Kosovën e Serbinë

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosjes ka lëshuar një komunikatë zyrtare me anë të së cilës shpreh mospajtim me deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, për Kosovën dhe Serbinë dhe qasjen e tij ndaj problemit shekullor shqiptaro-serb, njofton Insajderi.

Trump foli për “ndaljen e vr*asjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë dhe për krimet e njëra tjetrës “për shekuj me radhë”.

Por, Vetëvendosje thotë se kjo qasje e Trump është e gabuar.

“Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës”, thuhet në komunikatë.

“Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua ‘prej qytetarëve’, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese”.

“Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm”, thuhet, pos tjerash në komunikatën për media të Vetëvendosjes.