Komisioni Evropian i konfirmon aktivitetet e Shoqatës së Gazetarëve (SHGM) dhe Këshillit për Etikë në Media (KEMM)

Shpërndaje

Në Raportin për progresin e vendit intensifikimi i përpjekjeve për vetë-rregullim është theksuar si faktor për progresin e standardeve profesionale dhe cilësinë e gazetarisë, kurse në pjesën që lidhet me lirinë e shprehjes nënvizohet edhe krijimi i Regjistrit të mediave online (promedia.mk) nga SHGM-ja dhe KEMM-i, si mekanizëm për vetë-rregullim në këtë fushë përmes përfshirjes vullnetare të mediave. Pikërisht qëllimi kryesor i këtij Regjistri është të ndihmojë publikun që të njohë më lehtë se cilat media përmbushin kriteret për anëtarësim dhe u përmbahen standardeve të raportimit etik në punën e tyre dhe kjo ide është identifikuar nga Komisioni Evropian.

Vlerësim i përgjithshëm në Raport, lidhur me Kapitullin 23, në pjesën e lirisë së shprehjes, është se: “Vendi ka një nivel të caktuar gatishmërie/është mesatarisht i përgatitur në sferën e lirisë së shprehjes dhe është bërë progres i kufizuar gjatë periudhës që i referohet Raporti”.

Më tej, shtohet se “situata e përgjithshme dhe klima në të cilën veprojnë mediat mbeten përgjithësisht të favorshme për lirinë e tyre dhe lejojnë raportimin kritik”. Por, megjithatë, realiteti konfirmon se ka akoma kufizime në qasjen e lirë dhe të papenguar të mediave në informacione, veçanërisht në kontekstin e krizës së shkaktuar nga COVID-19, por edhe raste në të cilat një numër i caktuar i mediave kanë dështuar seriozisht në përmbushjen e rolit të tyre të informojnë në interes të publikut.

SHGM-ja dhe KEMM-i rikujtojnë se shumë herë u është vënë në dukje politikanëve, krijuesve të opinionit publik dhe qendrave të fuqishme kur kanë tentuar të shmangnin përgjegjësinë e tyre për sjellje transparente dhe të përgjegjshme ndaj publikut dhe kur mediat i kanë paraqitur ose trajtuar si palë armiqësore, duke kërkuar prej tyre qëndrim serioz në procesin e informimit, pa kufizime, improvizime dhe favorizime. Edhe krahas disa shembujve pozitivë, kur ka pasur falje publike për raportin ndaj gazetarëve, megjithatë në Raport është theksuar problemi se “politikanët dhe funksionarët publikë duhet të kenë prag më të lartë për kritikë dhe të promovojnë parimin e lirisë së shprehjes”.

Probleme në raportimin gazetaresk u vërejtën edhe në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore në vend, kurse SHGM-ja dhe KEMM-i reaguan dhe i paralajmëruan mediat se duke vepruar kështu ato jo vetëm që shkelën seriozisht standardet etike dhe normat për raportim, por gjithashtu janë sjellë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në dëm të procesit zgjedhor dhe kanë shërbyer si vegël të qendrave partiake.

Të dyja organizatat tashmë kanë reaguar se disa nga mediat online, në të cilat u vërejtën raste të tilla, janë në listën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për reklamim të paguar politik me paratë e të gjithë qytetarëve, nga Buxheti dhe se duke mos përfillur parimet themelore të raportimit ato ishin vendosur në të njëjtin kosh me redaksitë profesionale.

Në pjesën që i referohet frikësimit të gazetarëve, citohet statistika e SHGM-së mbi sulmet ndaj gazetarëve dhe rekomandimi është i ngjashëm sikurse i viteve të kaluara dhe thotë se duhet: “të sigurohet monitorim i shpejtë dhe efektiv nga organet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore në të gjitha rastet e dhunës fizike dhe verbale ndaj gazetarëve”.

Raporti, gjithashtu, trajton edhe problemin që ka të bëjë me programin e paguar politik dhe thotë se “praktika e re e partive politike të shfrytëzojnë fonde publike për këtë qëllim ngre shqetësime në asociacionet e gazetarëve se ekziston mundësia për të ndikuar në pavarësinë e mediave”.

Reforma e servisit publik edhe këtë vit nuk është lënë jashtë Raportit të KE-së. Edhe në këtë pjesë është konstatuar problemi i pavarësisë së financimit, si dhe fakti që RTM-ja merr më pak para të parashikuara me ligj, dhe kjo sjellë në pikëpyetje edhe funksionimin e këtij mediumi.

Duke pasur parasysh faktin se vërejtjet kryesore nga Brukseli u referohen, në fakt, problemeve që i vërejnë edhe organizatat tona, edhe KEMM-i edhe SHGM-ja, edhe një herë, bashkërisht apelojnë për të intensifikuar përpjekjet, mbi të gjitha, nga institucionet shtetërore për të mundësuar kushte për punë të pandërprerë të gazetarëve dhe mediave.

Paralelisht me këtë, kërkojmë edhe më shumë përgjegjësi në drejtim të raportimit etik në media, veçanërisht në kushtet e sfidave dhe krizave shoqërore.