Unë do të them ‘Urime Shqipëri’ dhe do ta valëvis vetë flamurin e fitores, por jo sot!

Shpërndaje

Nga, SILVANA BEGAJ

Unë do të them ‘Urime Shqipëri’ dhe do ta valëvis vetë flamurin e fitores, por jo sot!

Mora pushkën dola malit të luftoja për Atdhe

Ku ta dija unë i mjeri që armiku ishim ne?

Luftuam që të të shkatërronim vetë. Të shkatërruam Shqipëri,të shkatërruam me vjedhje dhe vjedhja është krimi më i rëndë që i bëhet njerëzimit.

Të vodhën të drejtën për të qënë një vend i denjë, të vodhën historinë, të vodhën popullsinë, të vodhën drejtësinë, të vodhën mirësinë, të vodhën lirinë dhe të vodhën pasurinë.
Nga heronjë me emër si Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, etj., kemi arritur në “heronj” propagande që jo vetëm nuk të çliruan “zonja e randë Shqipëri”, por të futën në kurth, të zvogëluan, të gjunjëzuan dhe të poshtëruan. Armiku i brendshëm qenka më i rrezikshëm se ai i jashtëmi.

Dikush të vrau me heshtje, dikush me servilizëm, dikush mbylli sytë, dikush me tradhëti e Unë, Unë të vrava me largim. Prandaj unë nuk mund ta festoj çlirimin tënd.

Ngri flamurin e drogës dhe krimit, krimit dhe drogës dhe braktisjes, por jo të çlirimit. Ngri flamurin e varfërisë deri në pikëllim. Ngri flamurin e baltosjes, por jo të clirmit. Ngri flamurin e vjedhjes dhe të tradhëtisë. Ngri dhe dollinë e mugesës së udhëheqësve dhe opozitës. Nuk u ngopën kurrë ata çakej që të lënë në errësirë. Valëvit flamur rozë, blu, por mos guxo atë ‘Kuq e Zi’.

Turku të ka akoma. Europa të mban jashtë si gjithmonë. Servilizmi ynë ndaj shteteve të huaj është në përpjestim të drejtë me përbuzjen që kanë ata ndaj nesh. Akoma nuk e di cila luftë shkaktoi më shumë të vrarë e të vdekur. Komunizmi do thonë njëzëri, por unë kam dyshime të bazuara në fakte se më shumë janë në këtë post komunizëm të mallkuar se demokracinë nuk e kemi përjetuar akoma.

Jemi aq krenar për këtë vend sa s´kemi lënë cep të saj pa gjakosur me gjakun e njerëzve tanë, me gjakun e varfërisë, me gjakun e ndershmërisë.

E pra Shqipëri këto 100 vite na mësove se fiton vetëm tradhëtari dhe ai që di t’i luaj mirë letrat në tavolinë. Prandaj mos ngri flamur fitore e çlirimi, por ngri flamurin e bardhë të dorëzimit.

Unë do të them ‘Urime Shqipëri’ dhe do ta valëvis vetë flamurin e fitores, por jo sot!

Sot mora orën dhe e përplasa në tokë. Faji ishte i atij tik-takut që vazhdonte dhe ecte gjasme në mënyrë të drejtë, por që ne na çon vetëm mbrapa. Kështu të paktën ndala kohën. E hipur në të njëjtën lokomotivë si të gjithë pash me sytë e mi që lokomotivën shqiptare po e tërheqin mbrapa. Ata që dinë dhe duan të ecin përpara kanë ikur. Sa do dëshiroja që edhe pse në shina të ndryshme të kishim të njëjtin drejtim…

Cdo gjë qoftë e mirë apo e keqe le një shije të hidhur kur mbaron. Shpresa po lëshon pikat e fundit, e mbushur nga malli, e tharë nga zhgënjimi.

Pra,Mos valëvisni flamuj çlirimi, të paktën jo sot! Ne nuk valëvisim dot falmurin që ju ngritët me gjak. Nuk e meritojmë!

“Revolucioni i vërtetë buron nga neveria e madhe. Kur gjithçka bëhet keq macja e vret luanin.”

Bukowski