Babadimri i opozitës shqiptare derdh “miell” dhe “bar” para qeverisë

Shpërndaje

Deklarata e plotë e babadimrit të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës:

Vitin e kaluar, unë si Babadimër i Qeverisë së atëhershme, i solla disa pako të cilat përmbanin dhurata shumë të nevojshme për qeverinë, siç ishin: sinqeriteti, morali, profesionalizmi, etj. Mirëpo, fatkeqësisht ato dhurata nuk u përdorën dhe ajo qeveri dështoi.

Këtë vit, kam vendosur t’i sjellë kësaj qeverie disa dhurata nga rezultati i punës së saj gjatë këtij viti. Ndër dhuratat që ia kam sjellur kësaj qeverie, është një kilogram me “miell të bardhë”, sasia e të cilit është rritur shumë në shtetin tonë, si pasojë e këshilltarëve të mrekullueshëm të kësaj qeverie. Poashtu, u kam sjellur edhe disa nga produktet vendore, të prodhuara në plantacionet e Kryeministrit dhe familjarëve të tij, që t’i kenë gati këtu në Qeveri, në momentin që do ta legalizojnë mar*iuhanën, për t’i shitur produktet e tyre dhe për t’i helmuar fëmijët tanë!

Meqë kjo Qeveri investoi 83 mijë euro në trajnim të gomerëve, kam vendosur që çertifikatën e njërit nga gomerët më të suksesshëm, të diplomuar këtë vit, ta sjellë këtu në Qeveri, me shpresë që do t’i gjindet një vend pune në këtë përbërje qeveritare!

Të dashur qytetarë,

Urime Viti i Ri 2021! Juve ju uroj shëndet e mbarësi, ndërsa uroj që qeveritarët tanë vitin e ardhshëm do të jenë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm, duke qenë kështu në shërbimin tuaj dhe jo të bizneseve dhe interesave të tyre personale!