Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës e SHBA-ve

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett gjatë së premtes kanë nënshkruar një Marrëveshje të re për Nxitje Investimesh (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), Bankës për Zhvillim të Amerikës, për të sjellë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë.

“Me ambasadorin amerikan në Kosovë, z. Philip S. Kosnett, nënshkruam Marrëveshjen për Nxitje Investimesh (IIA) që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), Bankës për Zhvillim të SHBA-së, për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, ku përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike.

Republika e Kosovës është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor, që ka nënshkruar Marrëveshje për Nxitje Investimesh (IIA) me Korporatën e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).

Kjo marrëveshje shpreh vullnetin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së për të inkurajuar aktivitetet ekonomike në Kosovë që promovojnë zhvillimin ekonomik dhe kapacitetet prodhuese të vendit tonë. Marrëveshja për Nxitje Investimesh (IIA), hap rrugë dhe garanton investimet amerikane në Kosovë, efektet e së cilës do të shihen gjatë vitit 2021, si edhe është një hap konkret drejt maksimalizimit të efekteve ekonomike të Marrëveshjes së Uashingtonit”, thuhet në njoftimin e Hotit.