Bisedimet me Bullgarinë, VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e kryeministrit Zaev

Shpërndaje

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE organizoi sot protesta në Shkup në shenjë revolte për bisedimet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut i zhvillon me Bullgarinë për mosmarrëveshjet rreth çështjeve historiko-kulturore midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Nën moton “Dorëheqje e Zaevit, liri e popullit”, protesta u organizua duke bllokuar rrugët me automjete para objekteve të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se këto janë momente historike për kombin dhe shtetin maqedonas.

Ai akuzoi qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev se me Marrëveshje për fqinjësi të mirë të nënshkruar me Bullgarinë në vitin 2017, ka lejuar që të kontestohet prejardhja e gjuhës maqedonase dhe e fakteve historike dhe kjo të bëhet kriter për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian (BE).

“Kjo asnjëherë nuk do të jetë një marrëveshje që do ta dërgojë Maqedoninë brenda Evropës së bashkuar dhe ta bëjë pjesë të familjes evropiane, por përkundrazi, është një mjet i atyre që janë brenda për të kryer vazhdimisht shantazhe dhe terror kundër popullit, kombit dhe shtetit maqedonas”, tha Mickoski.

Sipas tij, këtë gjë nuk e ka kuptuar kryeministri Zoran Zaev, të cilin e quajti “amator politik”.

“Vetëm një amator politik mund të nënshkruajë një marrëveshje të tillë në të cilën historia do të jetë kriter për përparimin e vendit në procesin e anëtarësimit të plotë brenda Bashkimit Evropian”, shtoi Mickoski.

Kreu i partisë opozitare tha se Zaev po udhëheq bisedime të fshehta, duke shtuar se politikat e gabuara të qeverisë aktuale kanë sjellë në një situatë ku duhet zgjedhur mes asimilimit dhe integrimit dhe duke i bërë thirrje qeverisë që të japë dorëheqje.

Mickoski tha se partia e tij nuk do të respektojë asnjë dokument të nënshkruar, nëse në të përmenden çështjet të identitetit të popullit maqedonas apo mohimi i pakicës maqedonase në Bullgari, duke paralajmëruar protesta edhe për ditën e nesërme.

Ai gjithashtu u bëri apel vendeve të BE-së që “kontestet jo-evropiane dhe të shpikura” t’i mbajnë jashtë procesit të integrimeve, duke shtuar se në të kundërtën, do të vërtetohet dyfytyrësia se “nuk vlejnë kriteret e njëjta për të gjithë”.

Kujtojmë se më 17 nëntor, Bullgaria vendosi veto ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, për arsye të mos gjetjes së marrëveshjes rreth çështjeve historiko-kulturore midis dy vendeve.

Kryeministri Zaev është shprehur se vendi po bën gjithçka për të zgjidhur çështjet e hapura, duke shpresuar që kjo do të ndodh para mbledhjes së Këshillit Evropian, i cili është paraparë të mbahet më datat 10-11 dhjetor.

Megjithatë, Zaev ka theksuar se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë temë e bisedimeve.