E panë duke luajtur në rrugë, Lazio nënshkruan me djaloshin “anonim”

Shpërndaje

Sot në ambientet e klubit të Lazios është prezantuar Larsson Coulibaly nga Bregu i Fildishtë. 17-vjeçari në fakt nuk ka luajtur asnjëherë në një klub profesionist futbolli dhe në internet nuk mund të gjesh asnjë të dhënë rreth tij përveç lajmeve të gazetave italiane për afrimin e tij në klubin e Igli Tares.

Kjo ndodh sepse talenti në fakt ishte parë duke luajtur në rrugë nga një shok i Mauro Bianchessit, drejtorit të akademisë së Lazios, i cili pas kësaj kishte dërguar disa zbulues talentesh në vendin afrikan dhe pasi e kishin parë, kishin bindur klubin ta afrojnë djaloshin.

Deri më tani Coulibaly jetonte mes vështirësive në Afrikë, duke u detyruar të punojë e të mos mendojë për praktikimin e talentit të tij. Drejtuesit e Lazios thonë se ai ka cilësi të mëdha me topin në këmbë dhe pas ambientimit në Itali, mund të shkojë shumë larg.

Fillimisht Coulibaly do i bashkohet ekipit të Lazio U18. Ai u prezantua sot nga vetë presidenti Claudio Lotito, i cili i ka mundësuar edhe kushtet e duhura për të jetuar normalisht në Romë djaloshit të ri.