Kabineti i presidencës arsyeton Vjosa Osmanin që punësoi tre persona e më pas i anëtarësoi në parti

Shpërndaje

Zyra e U.D të presidentit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimit se Osmani ka punësuar në presidencë tre persona të cilët më pas janë anëtarësuar në parti të sajën.

Këshilltari i Osmanit, Faton Peci me anë të një postimi në Facebook ka thënë se presidentja nuk punëson shërbyes civil në Zyrën e Presidentit, shkruan lajmi.net.

Ai pohon se personat e apostrofuar janë të emëruar politik në kabinetin e Vjosa Osmanit, e këtë sipas tij e sqaron më së miri ligji.

“Kjo ndarje e stafit politik dhe shërbyesve civil është e qartë në të gjitha institucionet brenda e jashtë shtetit. Mandati i të emëruarve politik në Kabinetin e Presidentit pushon me përfundimin e mandatit të Presidentit. U.d. Presidentja nuk e ka punësuar asnjë zyrtar në ZPRK të cilit do t’i vazhdonte kontrata pas përfundimit të mandatit të saj”, ka shkruar ai.

Tutje ai thotë se mandati i të emëruarve politik përfundon në momentin kur përfundon edhe mandati i Osmanit.

“Për më shumë, u.d. Presidentja as për afër nuk ka plotësuar numrin e të emëruarëve në Kabinetin e saj krahasuar me kabinetet e ish-Presidentëve, edhe pse vëllimi i punëve është shumëfish më i lartë. Që nga dita e parë ka treguar zero tolerancë ndaj paligjshmërive dhe duke kursyer dhjetëra fish më shumë buxhetin e institucionit dhe paratë e taksapaguesëve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Sidoqoftë, Peci s’ka folur për arsyen se pse Osmani me t’i emëruar tre personat në presidencë, të njëjtit më pas i ka anëtarësuar në parti.

Postimi i plotë i Pecit:

u.d. Presidentja nuk punëson shërbyes civil në Zyren e Presidentit. Të emëruarit e apostrofuar nga disa media NUK JANË shërbyes civil të punësuar në Zyrën e Presidentit por janë të emëruar politik në Kabinetin e u.d. Presidentes. Ligji për Presidentin specifikon qartë dallimin mes emërimeve politike të cilat bëhen në Kabinetin e Presidentit dhe rekrutimet e shërbyesëve civil të cilat bëhen përmes shpalljeve publike nga administrata e Presidencës në Zyrën e Presidentit. Kjo ndarje e stafit politik dhe shërbyesve civil është e qartë në të gjitha institucionet brenda e jashtë shtetit. Mandati i të emëruarve politik në Kabinetin e Presidentit pushon me përfundimin e mandatit të Presidentit. U.d. Presidentja nuk e ka punësuar asnjë zyrtar në ZPRK të cilit do t’i vazhdonte kontrata pas përfundimit të mandatit të saj. Kurse, të emëruarit politik (sic janë këshilltarët) janë në diskrecion të plotë dhe përzgjedhje e Presidentit, jo vetëm në Kosovë, por në cdo vend tjetër. u.d. Presidentja qysh në fillim të mandatit ka nxjerrë Vendim për suspendimin e të gjitha procedurave për punësime/rekrutimit të stafit civil në Presidencë, për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe ai Vendim ende mbetet në fuqi.

Për më shumë, u.d. Presidentja as për afër nuk ka plotësuar numrin e të emëruarëve në Kabinetin e saj krahasuar me kabinetet e ish-Presidentëve, edhe pse vëllimi i punëve është shumëfish më i lartë. Që nga dita e parë ka treguar zero tolerancë ndaj paligjshmërive dhe duke kursyer dhjetëra fish më shumë buxhetin e institucionit dhe paratë e taksapaguesëve të Republikës së Kosovës.