Nesër nis gjysmëvjetori i dytë shkollor, kërkohet respektimi i masave anti-Covid

Shpërndaje

Në të gjitha shkollat e Kosovës të arsimit parauniversitar nesër fillon gjysmëvjetori i dytë.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Likaj ka uruar me këtë rast nxënësit duke kërkuar respektimin e masave anti Covid-19.

“Me rastin e fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë, ju uroj të gjithëve mbarësi dhe ju ftoj për kujdes të shtuar në ruajtjen e shëndetit, duke respektuar masat anti COVID-19. Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes MASh, DKA-ve, menaxhmentit të shkollave, nxënësve, prindërve, SBASHK-ut, donatorëve dhe partnerëve dhe të gjithë akterëve relevantë, ja kemi dalë të përmbyllim suksesshëm gjysmë-vjetorin e parë. Ju ftoj që edhe kësaj radhe të tregojmë përkushtim dhe të bëjmë më të mirën në ofrimin e arsimit cilësor për nxënësit tanë”, ka shkruar Likaj në Facebook.

Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka uruar nxënësit nëpërmes një statusi në Facebook duke kërkuar po ashtu që të respektohen në maksimum masat kundër koronavirusit.

Me rastin e fillimit të mësimit në gjysmë vjetorin e dytë, duke ju falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ju uroj sukses. Çdo ditë, në çdo situatë ju ftoj që të keni kujdes dhe respektoni masat anti-Covid, të vazhdojmë së bashku ta ruajmë shëndetin personal dhe shëndetin e të tjerëve. Edhe ky gjysmëvjetor, ka vështirësitë e veta sepse virusi gjendet në mesin tonë, andaj të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësit e veta, në respektimin e masave parandaluese ndaj virusit. Paçim vit shkollor sa më të suksesshëm!”, ka shkruar Zemaj.

Gjysmëvjetori i parë është zhvilluar me ndërprerje të vazhdueshme të procesit shkollor në shumë shkolla fillore dhe të mesme për shkak të paraqitjeve të rasteve të reja me koronavirus ndër nxënës dhe mësimdhënës.