“BE sjell 145 mijë vaksina Pfizer në Shqipëri”- Presidentja e KE jep lajmin në shqip: Bashkë në betejë. Siç i thashë edhe Edi Ramës…

Shpërndaje

Shefja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen bëri me dije se në muajin maj Bashkimi Europian fillon shpërndarjen e vaksinave në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi u bë sot në “Twitter” në disa gjuhë të Ballkanit, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

“Ne jemi pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Edi Ramës. 145.000 doza vaksinash të financuara nga BE do të jenë në Shqipëri duke nisur nga maji deri në fund të gushtit. Jemi së bashku në këtë betejë”, shkruan ne komentin e saj gjuhen shqipe Von Der Leyen.

Lidhur me mbërritjen e 145 mijë dozave të vaksinave BioNTech/Pfizer Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca tha: “Solidariteti i Ekipit Evropa në veprim: 145.000 doza vaksinash të financuara nga BE-ja dhe të ndara me ndihmën e Austrisë do t’i dhurohen Shqipërisë nga fillimi i majit deri në gusht. Nga mekanizmi i BE-së për ndarjen e vaksinave, i shpallur në fillim të vitit, përfiton Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me 70 milionë, duke u dhënë përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe kategorive të cenueshme. Krenar që BE-ja qëndron pranë popullit shqiptar me pajisje mjekësore, mbrojtje sociale, ndihmë makro-financiare, ndërsa tani edhe me vaksina, me një angazhim të përgjithshëm prej më shumë se 230 milionë eurosh.”

Ndërsa ambasadori austriak në Shqipëri Christian Steiner, deklaroi: “Shumë i kënaqur që Austria dhe Komisioni Evropian kanë lehtësuar transferimin e vaksinave BioNTech / Pfizer në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Është shprehje e solidaritetit evropian dhe tregon se BE-ja kujdeset për partnerët tanë në këtë rajon, e ardhmja e të cilëve është qartazi në BE”.