Borrell: Nuk kemi për qëllim t’i ndajmë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shpërndaje

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell deklaroi këtë pasdite se kishte rënë dakord me ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së se nuk kishte asnjë qëllim për të ndarë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në procesin e BE-së, raporton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Ballkani Perëndimor për herë të parë pas dy vjetëve sot ndodhet në axhendën e ministrave të jashtëm, tha Borrell, duke shtuar se ai nuk do të lejojë të kalojnë edhe dy vjet pa debatuar për rajonin – një çështje kyçe për Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij hyrëse, ai u përqendrua në Maqedoninë e Veriut pasi u shfaqën spekulime të shumta se Shkupi dhe Tirana mund të ndahen nëse nuk hiqet vetoja e Bullgarisë.

“Kishte një pajtueshmëri në Këshill sot se nevojitet përshpejtim i procesit të reformave të ndërlidhura me BE-në, gjithashtu duam të përshpejtojmë procesin e aderimit dhe nuk kemi ndërmend të ndajmë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha ai pas një takimi me 27 ministra të jashtëm të BE-së.

Borrell theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian është i shqetësuar për deklaratat mbi ndarjen e Shkupit dhe Tiranës dhe se pozicioni në Këshill nuk ka ndryshuar rreth kësaj çështje.

I pyetur nga MIA nëse bllokada për Maqedoninë e Veriut i dekriminalizon përpjekjet e BE-së për të qenë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor, Borrell u përgjigj se të dyja palët duhet të gjejnë urgjentisht një zgjidhje të pranueshme.

“Patëm një bisedë për këtë sot, e kemi dëgjuar Bullgarinë dhe i inkurajojmë të dyja palët që urgjentisht të gjejnë një zgjidhje të pranueshme. Kushtet janë përmbushur, vendet-anëtare kanë vendosur të hapin negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe shpresojmë që Konferenca ndërqeveritare të konvokohet sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të kornizës negociuese, ministrat e punëve të jashtme të vendeve-anëtare janë angazhuar të nxisin fuqishëm për konvokimin e Konferencës së parë ndërqeveritare dhe ta miratojnë kornizën”, tha Borrell këtë pasdite në një konferencë shtypi pas Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së.