Heqja e karantinës/ Rritet numri i hyrjeve dhe daljeve në Qafë Thanë

Shpërndaje

Hiqja e karantinimit 14 ditor për të gjithë shtetasit që hyjnë nga pikat e kalimit kufitar që lidhin Shqipërinë me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut ka bërë që të rritet ndjeshëm numri i personaveqë hyjnë e dalin në të dyja anët e kufirit.

Zyrtarisht bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit nga Qafë Thana kanë hyrë e kanë dalë 3709 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Gjatë këtyre orëve numri më i madh është regjistruar në hyrje me 1914 shtetas ndërkohë që kanë dalë nga vendi ynë në drejtim të vendit fqinj 1795, pjesa më e madhe e të cilëve nga Maqedonia e Veriut kalojnë drejt Greqisë.

Për të përballuar fluksin në rritje, në të dyja anët e kufirit është shtuar numri i sporteleve. Pala shqiptare punon me 5 sportele ndërsa ajo maqedonase me 4 të tillë.

Pas heqjes së karantinës 14 ditore është rritur edhe numri i hyrjeve nga Greqia në drejtim të Shqipërisë nëpërmjet pikë së kalimit kufitar të Kapshticës. Gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kufitare kanë hyrë 334 shtetas dhe 125 mjete.