IKSHPK: Në ujin e Deçanit gjenden tre lloje bakteresh (Video)

Shpërndaje

Gjatë ditës Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë bëri me dije se pos baktereve koliforme është identifikuar edhe bakteria Ecoli në kaptazhën e Drenocit në Deçan, kësisoj sipas IKSHPK-së uji deklarohet jo i pijshëm në këtë fshat.

Mirëpo, kjo baktere që njihet tek popullata si Escherichia Coli, sipas profesorit të mikrobiologjisë Idriz Vehapi, shkaktohet nga fekalet, vërshimet nga vendbanimet e ndryshme si dhe ato të mbetjeve të kufomave shtazore dhe të ngjashme.

Andaj, edhe simptomat e paraqitura tek deçanasit janë shkaktuar nga ky lloj i bakteries.

Vehapi tregon se uji si produkt esencial duhet të kontrollohet në baza ditore.

Teksa, kjo nuk dihet se a u bë, për shkak se në analizat e bëra nga IKSHPK në tri mostrat e ujit në fshatrat Prilep, Irzniq dhe Gllogjan ka rezultuar që nuk ka fare sasi të klorit.

Ani se, nga KRU “Hidrodrini” u tha se brenda muajit bëhen 200 analiza, pa e potencuar faktin se a bëhen në baza ditore apo jo, dhe se këto analiza kryhen nga IKSHPK.

Derisa, nga IKSHPK në pasditen e së premtes u bë me dije se në dy mostrat e fecesit të pacientëve të dërguara të enjten për testim në laboratorët jashtë Kosovës, janë tipe të bakteries Ecoli dhe një lloji i virusit i quajtur Noroviru.