Kosova pret vendimin e gjykatave për rastet e Lagjes së Trimave dhe Monstra

Shpërndaje

Sot është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.Aty është garantuar ndihmë juridike dhe lirim nga pagesa e taksave dhe shpenzimeve gjyqësore të qytetarëve. Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq tha se bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të vazhdojë me intensitet të njëjtë, posaçërisht në pjesën e drejtësisë, në këmbim të përvojave dhe përmirësimin në aderimin në BE, harmonizim më të lehtë të legjislacion evropian. Ndërsa, Ministrja e Drejtësisë se Kosovës Albulena Haxhiu deklaroi se janë duke pritur vendimet e gjykatave për rastin e “Grupit të Kumanovës” dhe rastit “Monstra”, për mundësinë e ekstradimit dhe vuajtjes së dënimit në Kosovë.

“Sa i përket qytetarëve të Kosovës të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin në Maqedoninë e Veriut, tashmë ky rast është në Gjykatën Supreme edhe si Kosovë, si shtet, si Ministri e Drejtësisë, presim që Gjykata Supreme të marrë vendimin me këtë çështje, e pastaj të veprojmë në përputhje me kërkesat e qytetarëve të cilët janë duke vuajtur dënimin por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Sa i përket rastit “Monstra”, rasti ende nuk është i formës së prerë. Rasti është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit, sapo të kemi vendimet e gjykatave pa dyshim që do të bëjmë të ditur vendimet tona”, deklaroi Haxhiu. /SHENJA/