Turqia, donacion në vlerë prej një milion dollarëve për FSK-në

Shpërndaje

Turqia ka dhuruar sot për Forcën e Sigurisë së Kosovës kontingjentin e dytë të donacionit në vlerë prej 1 milion dollarëve.

Në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së në Prishtinë sot u bë pranim-dorëzimi i kontingjentit të dytë të donacionit me veshmbathje ushtarake nga Republika e Turqisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ceremonia e pranim-dorëzimit të pajisjeve përkatëse u bë në prani të zyrtarëve dhe oficerëve të logjistikës së Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së dhe Komandës së Logjistikës, si dhe atasheut ushtarak turk në Kosovë me stafin e tij”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në emër të qeverisë turke donacionin e dorëzoi atasheu i Turqisë, kolonel Ismail Cenkeri Ersoz, ndërsa në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së e pranoi oficeri i Departamentit të Logjistikës së SHPFSK-së, major Nazmi Zogaj, i cili falënderoi kolonel Ersozun për donacionin e dhuruar dhe mbështetjen e vazhdueshme të ushtrisë dhe shtetit turk për FSK-në. /Zëri