Ekipi Negociator shpallet antikushtetues, kush e drejton tash dialogun?

Shpërndaje

Ekipi Negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë është shpallur antikushteutues. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur dje antikushtetues Delegacionin Shtetëror për Bisedime, i cili bashkudhëhiqej nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti. Ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, ka thënë se vendimi për Delegacionin Shtetëror dëshmon se presidenti Hashim Thaçi nuk ka të drejtë për ta kryesuar procesin e dialogut.Delegacioni Shtetëror, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Fatmir Limaj dhe nga kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, është shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Pas kërkesës së dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së e LVV-së, për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Ekipit Negociator, Kushtetuesja ka konstatuar gjatë ditës së djeshme se Delegacioni i formuar në fund të vitit të kaluar nuk ka kompetenca për ta përfaqësuar Kosovën në politikën e jashtme, gjegjësisht për të zhvilluar dialog me një shtet tjetër, shkruan më tutje “Zëri”. Menjëherë pas këtij vendimi Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i Delegacionit, ka dhënë dorëheqje nga posti që ka mbajtur për shtatë muaj në këtë ekip. Lidhur me vendimin e djeshëm të Kushtetueses kanë reaguar edhe LDK-ja, edhe LVV-ja, përfaqësues të të cilave kanë thënë se vendimi i Gjykatës ia pamundëson presidentit Hashim Thaçi udhëheqjen e dialogut.