“Shkupi 2014” i paprekur nga pushteti aktual

Shpërndaje

Edhe pse janë bërë dy vite nga ndërrimi i pushtetit të VMRO-DPMNE-së, megjithë premtimet e shumta nga qeveria e Zaevit nuk është bërë asnjë hap sa i përket projektit “Shkupi 2014”. Përveç përmendores së Andon Qoses, personalitet kundërthënës historik apo i njohur si likuidues i VMRO-së, i cili ishte i vendosur pranë Gjykatës Themelore, nuk është lëvizur asnjë nga përmendoret dhe statujat tjera kontestuese dhe të vendosura në mënyrë të paligjshme. irosllav Gërçev, koordinator i grupit punues në Ministrinë e Kulturës, për të analizuar projektin “Shkupi 2014” deklaroi për ALSAT se deri më tani kanë rekomanduar heqjen e 17 përmendoreve, ndërsa  është larguar vetëm një.

Siç mund të shoh çdokush, nuk është bërë asgjë, për shkak se është dislokuar vetëm Qoseto dhe kur do i shihni ato përmendore groteske, ato edhe më tej dëshmojnë se ne jemi edhe më tej shtet i robëruar, nuk na ka robëruar grupi i kriminelëve të VMRO-së, por ne jemi të robëruar nga mospasja e fuqisë efikase dhe nga impotenca”.- tha Mirosllav Gërçev

Gërçev, thotë se pushteti urgjentisht duhet të largojë, përmendoren e Aleksandrit të Madh dhe “Filipi II”, më pas “Porta Maqedonia”, prishjen e fasadës së disa ndërtesave që janë pjesë e trashëgimisë kulturore në sheshin e Shkupit. Ai thotë se duhet të hiqet edhe fasada e Qeverisë. Të gjitha këto sipas Gërçevit janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin për përmendoret, për rrugë publike, ligjin për ndërtim dhe planifikim hapësinor. Nga Ministria e Kulturës, thonë se të gjitha rekomandimet ia kanë dorëzuar Qeverisë dhe ajo duhet të vendos. Qeveria po i shqyrton rekomandimet, por ende nuk nuk ka vendim për largimin e përmendoreve.

Pas përfundimit të shqyrtimit të këtyre rekomandimeve të këtyre elaborateve të Komisionit nga Ministria e Kulturës, Qeveria e RMV-së do ti angazhojë të gjitha institucionet përkatëse për këtë çështje që të veprojnë në mënyrë të detajuar. Por duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për një proces shumë të ndjeshëm, i cili duhet mirë të analizohet dhe mirë të shqyrtohet nga institucionet kompetente.- u shpreh Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë

Nga Qyteti i Shkupit thonë se janë të gatshëm të ndërmarrin masa për përmendoret që i kanë në kompetenca të tyre. Por kreu i Shkupit arsyetohet se procesi ka ngecur në relacionin Ministri e Kulturës – Qeveri.

Shpresoj se ky projekt do të zhbllokohet dhe se do të mund të hyjmë në një pastrim më serioz lidhur me këtë problem.- theksoi Petre Shilegov, kryetar i qytetit të Shkupit

Projekti “Shkupi 2014” ishte njëri ndër projektet më të rëndësishme të qeverisë së kaluar të Nikolla Gruevskit. Opozita e atëhershme, në krye me kryeministrin Zoran Zaev deklaronte vazhdimisht se projekti ishte ideologjik dhe në kundërshtim me vlerat estetike, ndërsa sipas disa përllogaritjeve të saj ishin shpenzuar rreth 1 miliard euro për jetësimin e tij./alsat/