Kurti ironizon me drejtësinë në Kosovë, tregon “telefonatën ndërmjet Prokurorisë dhe Konjufcës”, për Thaçin e Veselin

Shpërndaje

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, përmes një statusi në Facebook ka imagjinuar një telefonatë, të cilën siç ka thënë ai do të ishte “shumë e thjeshtë dhe e qartë – vetëm sikur të ishte e vërtetë”.

Në telefonatën e imagjinuar, Kurti ka vënë në dialog dy personazhe, një person nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës, si dhe deputetin e Vetëvendosje, Glauk Konjufca, përcjell Telegrafi.

Sipas telefonatës, një zyrtare nga Prokuroria do të telefononte deputetin Konjufca për ta njoftuar rreth një Kallëzimi Penal që kanë bërë me datë 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe nënkryetari i grupit parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca kishin dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër Presidentit Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Kurti kishte thënë se këtë kallëzim po e bëjnë për shkak të deklarimeve të rrejshme që sipas tij presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli kanë dhënë më 28 dhjetor të vitit 2018.

“Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta i kanë bërë me 28 dhjetor 2018, në procesin gjyqësor kundër të ashtuquajturit organizatë ‘Syri i Popullit’, me rastin e sulmit që kanë bërë këta këta dy krerë institucionesh kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës. Ata kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe e kanë bërë nën betim”, ka thënë ai.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, kishte theksuar se ajo që kanë bërë Thaçi dhe Veseli është që të luftohet Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, me këtë presidenti dhe kryeparlamentari kanë bërë përpjekje për eliminimin e LVV-së.

Ndër të tjerash Konjufca kishte thënë se besojnë që ka prokurorë të guximshëm që mund ta çojnë përpara këtë rast.