Shqiptarët nuk kanë strategji kombëtare për mbrojtje dhe zhvillim

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Meqë planet afatgjata, strategjia dhe elaboratet e panumërt të regjimeve serbe kundër shqiptarëve, për shpënguljen dhe shfarosjen e tyre, ende vazhdojnë të zbatohen në të gjitha viset shqiptare, cila është strategjia, planet dhe projektet e shqiptarëve, të dy shteteve të tyre, të institucioneve dhe subjekteve politike e jopolitike, për mbrojtjen nga këto plane të liga dhe kjo fatkeqësi që ka goditur shqiptarët pandalur, sidomos gjatë dy shekujve të fundit?

Lufta speciale, jonjerëzore dhe kriminale e pushteteve serbe (edhe greke) kundër shqiptarëve, në sferën politike dhe diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, propaganduese dhe subversive, vazhdon pandalur edhe sot, me mjete, metoda dhe forma joklasike, të sofistikuara. Efektet e kësaj lufte speciale kundër shqiptarëve shihen dhe ndjehen në të gjitha sferat e jetës ndër shqiptarët, sidomos në trojet etnike të mbetura jashtë shteteve shqiptare, nën pushtetet dhe sundimet e huaja.

Cila është strategjia kombëtare e shqiptarëve, e qeverive dhe organizmave të tjerë në nivel kombëtar?

Kush mban përgjegjësi për të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar, përderisa shihet qartë se po fundoset përditë e më tepër, përditë po zvogëlohet numri i shqiptarëve në të gjithë hapësirën etnike, po tkurren në territore, po shkapërderdhen në të katër anët e botës pa mbajtur askush llogari se ku shkojnë e çfarë bëjnë atje?

Shqiptarët jashtë shteteve të tyre, a duhet të mbajnë llogari për gjendjen e tyre, e cila nuk ndryshon me asgjë të mirë as në këto tri dekadat e demokracisë dhe tranzicionit?

Çfarë bëjnë partitë politike të shqiptarëve, përveç aktiviteteve të zakonshme, të luftës për pushtet, pjesëmarrjes në zgjedhje dhe instalimit në institucionet e pushtetit, pavarësisht nga qasja e tij ndaj shqiptarëve?

Përulja para çdo pushteti dhe sundimi të huaj, heshtja para çdo fatkeqësi që e godet popullin shqiptar, e që këto parti politike dhe drejtuesit e tyre janë zotuar ta përfaqësojnë, e bën të parëndësishme ekzistencën e tyre.

Çfarë bën sektori joqeveritar, përveç përpjekjeve për të siguruar mjeteve financiare për organizimin e ndonjë manifestimi trivial, folklorik, argëtues, apo të ngritjes të zërit rrallëherë sa për të dëshmuar se ekzistojnë si subjekte dhe forma të organizimit të jetës shoqërore e kulturore të shqiptarëve?

Çfarë bëjnë intelektualët, edhe pse janë të shpërfillur nga çdo pushtet, që nuk gjejnë mundësi për bashkëpunim, për t’u ulur bashkë, në mos për diskutimin e problemeve dhe gjetjen e ndonjë zgjidhje të mundshme për probleme të caktuara, së paku për ta dëshmuar se janë pjesë e shoqërisë, me këtë edhe pjesë e problemeve që duhet të zgjidhen?

Çfarë bëjnë kompanitë dhe biznesmenët shqiptarë, humanistët, filantropët dhe njerëzit e vullneteit të mirë, përveç zgjidhjes së ndonjë problemi të vogël social, të ndonjë çështje individuale me karakter solidariteti për individë dhe familje të veçanta, pa krijuar asgjë serioze në nivel kombi, asnjë plan dhe projekt serioz e madhor për investime dhe zhvillim?

Ku përfundon forca kolektive, energjia dhe potenciali politik, ekonomik, financiar, kulturor dhe intelektual i shqiptarëve?

Cilat janë rezultatet konkrete të organizimit politik dhe jopolitik të shqiptarëve përballë fatkeqësive dhe rrezikut që u kanoset pandërprerë nga armiqtë e vjetër dhe të rinj?

Cila është strategjia dhe platforma, cilat janë projektet për të ardhmen?

Cilat janë afatet kohore konkrete për zgjidhjen e ndonjë problemi që e rëndon jetën e shqiptarëve sot?

Pse popujt tjerë janë të organizuar ndryshe, ndërsa ne shqiptarët nuk dimë dhe nuk duam ta ndryshojmë mentalitetin tonë primitiv, për të mos bërë asgjë, e për të kritikuar përherë të tjerët?

Populli shqiptar është i zgjuar dhe punëtor, ka tradita të shkëlyera dhe gatishmëri për ndryshime, por i mungojnë udhëheqësit, prijësit, liderët. Jo të këtillë siç ua kanë imponuar rrethanat pa dashjen dhe zgjedhjen e tyre, por për UDHËHEQËS TË DITUR E TË AFTË, për liderë të vërtetë dhe burra me dinjitet, kanë nevojë për PRIJËS, që do të dinë ta ndryshojnë rrjedhën e historisë përballë krizës së thellë ekonomike, politike dhe morale, të katandisjes që i ka përfshirë sot shqiptarët kudo që janë.