Deputetja e AAK-së tregon se a do t’i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale

Shpërndaje

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj është e ftuara e radhës nga Gjykata Speciale. Ajo ka deklaruar për Gazetën Insajderi, se nuk e di ende se në çfarë forme është ftuar mirëpo, ka thënë se do t’i përgjigjet ftesës.

“Më kontaktuan sot, meqë nuk jam në Prishtinë nuk kam pas mundësi ta marr ftesë, por këto dy ditë do ma sjellin ftesën. Më thanë që jam e ftuar për intervistim në Gjykatën Speciale. Nuk e di a do të jem si dëshmitare apo si e akuzuar dhe nuk e di çka përmban ftesa”, është shprehur ajo.

Kadrijaj ka thënë se beson fuqishëm në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Do t’i përgjigjem ftesës sikur të gjithë ushtarët dhe komandantët që ju kanë përgjigj dhe besoj fuqishëm në pafajësinë dhe luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në çfarëdo forme që jam e ftuar do t’i përgjigjem ftesës”, pohoi deputetja.

Ditë më parë ftesës nga Gjykata Speciale i janë përgjigjur edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, për shkak të së cilës edhe ka dhënë dorëheqje nga i pari i Qeverisë. Në të njëjtën ditë në Hagë ka shkuar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi./ Insajderi.com