“Lufta” tregtare, takohen sot në Prishtinë Bekteshi dhe Shala

Shpërndaje

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në Prishtinë do të ketë takim me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, rreth masës së Kosovës për ndalesë të importimit të patates dhe mjaltit nga vendi.

Drejtori i Agjencisë për ushqim dhe veterinari, Zoran Atanasov sot deklaroi se do të kërkojnë nga Kosova sqarim me argumente në bazë të cilave standarde ndërkombëtare është marrë masa në Prishtinë.

Sipas Atanasovit, produktet e Maqedonisë i përmbushin standardet botërore dhe nuk ka bazë deklarata e autoriteteve kosovare për shkaqet për ndalesë të importit të patateve dhe mjaltit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë në dorëheqje të Kosovës Endrit Shala të premten vendosi ndalesë për importin e patateve dhe mjaltit nga Maqedonia e Veriut, si përgjigje në ndalesën që Shkupi e ka vendosur në importin e rasadit të peshkut nga Kosova.

Ministri Shala në një deklaratë për portalin “Gazeta Ekspres” tha se “masa hynë në fuqi menjëherë sot dhe do të qëndrojë derisa organet në Maqedoninë Veriore nuk e shqyrtojnë” vendimin e tyre për importin e rasadit të peshkut nga Kosova.

“Po, mund t’jua konfirmojmë se sot kam marrë vendimin për caktimin e masës së reciprocitetit për Maqedoninë e Veriut. Unë i kam shkruar shkresë zyrtarë ministrit, homologut tim maqedonas për reflektim për moslejimin e rasadit të peshkut në Maqedoni. Por autoritetet maqedonase nuk kanë reflektuar. Andaj ne jemi të detyruar që masat e njëjta t’i kthejmë me reciprocitet”, ka thënë Shala.

Ministri Kreshnik Bekteshi i hedh poshtë si të pavërteta pretendimet e Kosovës dhe thotë se vendi në çdo moment është i gatshëm të bisedojmë me fakte dhe argumente.

“Sipas rregullave të CEFTA-s, ministria e ekonomisë që në muajin qershor në takime të rregullta të CEFTA-s i është përgjigjur palës kosovare për këtë çështje dhe gjithashtu agjencia e ushqimit dhe veterinarisë ka informuar palën kosovare se legjislacioni i ri ishte miratuar në përputhje me rregulloren evropiane. Periudhën e kaluar, agjensia e ushqimit dhe veterinarisë ka bërë përpjekje intensive për të kapërcyer problemin në mënyrë që të merren informacione adekuate për gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe peshqve, por të dhëna të tilla nuk janë marrë, megjithëse është kërkuar disa herë nga institucioni kompetent në Republikën e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre kanë theksuar se sistemi i mbikëqyrjes për sëmundjet e peshqive në Republikën e Kosovës nuk monitorohet” sqaron Ministria.

Shton se vendi, megjithatë gjatë kësaj periudhe ka pasur kontakte intensive me institucionet kompetente nga Republika e Kosovës për të kapërcyer situatën gjatë importimit të këtyre produkteve, por nuk u morën të dhëna për të konfirmuar gjendjen shëndetësore të produkteve të përmendura nga institucion i akredituar në Republikën e Kosovës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se importi i mjaltit në Kosovë në vitin 2018 është në vlerë prej 464.199 dollarë, ndërsa në pesë muajt e parë të vitit është në vlerë prej 212.227 dollarë. Nga vendi në Kosovë në vit importohen prej 40 deri 1.000 ton patate.