Premtimi i kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiut për ndërtimin e një Klinike mbetet vetëm në letër

Shpërndaje

Premtimi i kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiut dhe ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e një Klinike për pediatri në komunën e Gazi Babës mbetet vetëm në letër. Projekti ende nuk ka kaluar në këshillin e komunës së Çairit për ti hapur rrugës procedurave të mëtejme në ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve si dhe në ministrinë e Shëndetësisë.

Shpresojmë që gjatë vitit 2020 pas përfundimit të këtyre procedurave të nevojshme për të filluar ridestinimin të kemi dhe një qasje rreth adaptimit të këtyre hapësirave që duhet të përdoren si Klinikë- deklaroi Kushtrim Alla, Zëdhënës i Komunës së Çairit.
Ministria e Shëndetësisë nuk jep informacione nëse institucioni i tyre ka ndarë mjete buxhetore për ndërtimin e asaj Klinike. Për momentin vendi ku është paraparë të ndërtohet Klinika, funksionon si qendër e emigrantëve dhe e njejta është nën ingerenca të Ministrisë së Brendshme. Paraprakisht ajo ka qenë objekt për qëndrim ditor të fëmijëve.

Kjo Klinikë ka qenë pjesë e programit zgjedhor të kreut të Çairit i titutlluar si “Kontrata” ku ai së bashku me përfaqësues tjerë të pushtetit ekzekutiv u zotua se deri në vitin 2021 Klinika veçmë do të jetë e përfunduar dhe gati për trajtimin e pacientëve.

Të nderuar mjek, motra, personel mjekësor. Me stafin tonë, gjatë hartimit të programit e kemi paraparë që në mandatin tonë 2017-2021 zotohemi që kjo çerdhe do të shndërrohet në Klinikë për Fëmijë. Buxheti i paraparë apo i projektuar është mbi 112 milion denarë- kishte thënë gjatë fushatës Visar Ganiu.

Visar Ganiu i zgjedhur kryetar i komunës së Çairit në zgjedhjet e fundit lokale në programin e tij zgjedhor i titulluar “Kontrata” ka premtuar edhe shumë projekte tjera infrastrukturore, rikonstruktim të rrugëve, 15 rreth-rrotullime, parkingje mbitokësore, parqe, rikonstruktim të fasadave të 141 banesave me materiale termoizoluese, zhvillimin e arsimit dhe kulturës, bibliotekë, mbështetje për rininë dhe sportin, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë, e projekte tjera. /Alsat-M/